Situata në PD, Hasimja: Opozita është e zënë duke kafshuar bishtin e vet, ka filluar një betejë jetë a vdekje
Dy ditë më parë në seancën parlamentare u miratua buxheti nga qeveria. Por a e ka zhvendosur situata brenda PD-së vëmendjen nga qeveria duke i lënë një fushë boshe qeverisë duke mos i dhënë rëndësi çështjeve të cilat meritojnë rëndësi të vërtetë?
"Opozita është e zënë duke kafshuar bishtin e vet në këto momente."
Kështu mendon analisti Ermal Hasimja, i cili ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetarin Everest Dedaj dhe bëri një analizë të situatës së brendshme të PD-së.
Hasimja: Megjithatë po të kemi parasysh realitetin shqiptar nuk është se opozita do të bënte shumë më tepër duke denoncuar skandale t që tashmë janë bërë të përditshme në jetën shqiptare. Fatkeqësisht shqiptarët janë mpirë dhe nuk ka më gjë që i skandalizon. Dhe po të dalësh të thuash që toka është katrore me shumë gjasa do ta pranojnë. Opozita është duke u marrë me punët e veta. Tani duket sikur ka filluar një lloj gare se cila nga dy gjysmat e PD-së duket më e zellshme për të përfaqësuar PD-në e ardhshme. Problemi është se PD-ja në dalje të këtij procesi të jetë në gjendje të ofrojë shpresën jo thjesht denoncime.
A ka mundësi që PD-ja të dalë dhe të ofrojë shpresë për shqiptarët?
Për analistin PD-ja është futur në një proces që nuk e ndihmon, pasi nuk është një proces i qartë, i pastër dhe i kthjellët.
Hasimja: Është një përplasje që shkund themelet e legjitimitetit brenda PD-së duke pasur parasysh që të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë legjitimiteti. E keqja tjetër që secila nga palët duke sulmuar palën tjetër delegjitimon dhe prish imazhin e PD-së në përgjithësi. Ajo që është problem tjetër është përplasja mes dy grupeve ekzistuese brenda PD-së. Nuk është një forcë e re që ofron diçka të re, por të dyja pjesët kanë qenë aty, thjesht tani PD-ja është e ndarë, por nuk ka diçka të re. Ideale do ishte një lëvizje të re, me energji të reja, me zgjidhje të reja dhe jo thjesht një betejë për Statutin e PD-së.
Analisti tha se kur të zgjidhet ky lloj ngërçi me Statutin, PD-ja mund të fillojë t'i kthehet ndryshimit të vërtetë në kuptimin e vlerave.
Sipas tij PD-ja ka përballuar zhvillime të vështira, por ka qenë autoritarizmi i Sali Berishës që i ka zgjidhur çështjet dhe PD ka funksionuar.
Çfarë po e shkakton situatën në PD?
Hasimja: Berisha i është futur kësaj beteje, por ajo që po ndodh me "Foltoren" nuk është thjesht betejë personale e Berishës, është dhe betejë e shumë njerëzve të tjerë të cilët kanë qëllime të ndryshme. Një pjesë e mirë që janë bashkuar me "Foltoren" nuk janë aty për hir të mbështetjes ndaj Berishës, por për hir të kundërshtisë ndaj Bashës. Nga an tjetër kemi zotin Basha i cili ka një betejë për jetë a vdekje politikisht. Nuk mund të dalë barazim, nuk është një betejë që mund të zgjidhet me kompromis. Ose njëri, ose tjetri do duhet të lirojë vendin. Kjo është kthyer në një betejë jetë a vdekje.
Sipas analistit, zoti Berisha do ta kishte të vështirë të fitonte zgjedhjet në Shqipëri dhe problemi nuk do të ishte shpallja "non grata" por perceptimi që ka elektorati shqiptar, sidomos ai gri ndaj Berishës. Është një figurë e së shkuarës dhe është e vështirë t'i bindësh njerëzit tani që të votojnë përsëri për të. Për analistin, gjuha e "Foltores" është gjuhë lufte, mobilizuese, Berisha është në fushën e vet.
Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku
