Debat në studion e "Drejt" për Foltoren, Nishani: Në PD duhet ndryshim radikal. Kola: Foltorja frymë fashiste
Nga studio e emisionit “Drejt” ish-Presidenti Bujar Nishani u shpreh se Partia Demokratike ndodhet në krizë ekzistenciale. Zgjidhja e kësaj situate sipas tij mund të vijë vetëm përmes një ndryshimi radikal.
Ish-Presidenti Bujar Nishani beson se vetëm një ndryshim radikal mund ta nxjerrë Partinë Demokratike nga kriza që e ka përfshirë. Në emisionin “Drejt” në RTV Ora, Nishani tha se përplasja Berisha-Basha nuk është problemi parësor por vëmendja duhet të përqendrohet te e ardhmja e PD-së.
"Ky është një proces i cili nuk kishte alternativë tjetër, përpos të ndodhte. Ose Pd do të vazhdonte dhe nëse dështon në këtë proces do të shkojë drejt shuarjes së saj si forcë politike, ose do të hynte në një proces ridimensionimi. E keqja e këtij vendi nuk është Lulzim Basha, është qeveria, por Basha është problemi sepse nuk bën të mundur që mekanizmi për ndryshimin e qeverisjes të jetë i fortë, i shëndoshë dhe i aftë për ta bërë të mundur ndryshimin e qeverisjes," tha Nishani.
Për analistët Vehap Kola dhe Plator Nesturi lëvizja antiBasha nuk është e shëndetshme për Partinë Demokratike ndërsa sipas gazetarit Everest Dedaj Berisha po e çon forcën që dikur drejtonte drejt shkatërrimit.
"Është lëvizje për hakmarrje, niset jo nga virtyti, por niset nga rebelimi," tha Kola.
"Berisha po i djeg të gjitha urat sepse duket që kërkon protagonizmin e tij, protagonizëm i cili ndërvaret në vetvete nga çështja "non grata", tha Nesturi,
"Ka qenë zoti Berisha i cili çdo vendimmarrje të gabuar i ka vënë kapaku duke e mbajtur të asfiksuar, për sa kohë ai ka qenë komod në pozitat e tij," tha Dedaj.
Ish-Presidenti thotë se mbështetja që gëzon Sali Berisha është shumë më e gjerë se çfarë shihet publikisht.
"Është fryma që i mungonte PD-së në këto 8 vite dhe fryma as urdhërohet, as shkruhet, as imponohet. Në 11 dhjetor do të shihni shumë deputetë në Kuvend dhe ata që nuk janë shprehur deri sot," tha Nishani.
"Nëse ka një frymë aty, është shumë e keqe," tha Kola.
"Për çfarë," tha Nishani.
"Është një frymë fashiste, nxit njerëzit të urrejnë, të shajnë," tha Kola.
Akuzat e Bashës ndaj LSI-së Nishani i cilëson të pamoralshme pasi sipas tij Kryetari i PD ka përfituar nga bashkëpunimi me këtë forcë politike.
"Nëse ka një njeri në PD që ka përfituar politikisht më shumë se kushdo tjetër nga bashkëpunimi me LSI është zoti Basha," tha Nishani.
Ish-Presidenti shprehu edhe rezervat e tij për nismën Ballkani i Hapur për të cilën tha se nuk mund të ketë sukses vetëm me pjesëmarrjen e tre shteteve.

