Dy vite nga tërmeti i nëntorit, Kryemadhi: Shqipëria nuk është përgatitur ende për katastrofa natyrore, qeveria të shmangë shpenzimet e luksit

Kjo e premte shënon 2-vjetorin e tërmetit tragjik të ndodhur më 26 nëntor 2019, ku si pasojë humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 1000 të tjerë.

Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave duke lënë pa strehë shumë familje kryesisht në Thumanë dhe në disa zona të Durrësit.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka përkujtuar personat që humbën jetën dhe i është bashkuar dhimbjes së personave që humbën të dashurit e tyre.

Kryemadhi shkruan se pavarësisht tragjedisë që i mori jetën 51 personave, kjo ngjarje nuk shërbeu si një mësim që Shqipëria të ishte sot më e përgatitur ndaj katastrofave natyrore.

Kryemadhi gjithashtu i ka shprehur mirënjohje të gjithë partnerëve që ju gjendën pranë Shqipërisë në ato ditë të vështira. Ajo vë theksin te shpenzimet e luksit për qeveritarët duke u shprehur se Shqipëria duket të mënjanojë këto shpenzime dhe të prioritarizojë shtetin dhe qytetarin.

Postimi i plotë:

Dy vjet më parë, tërmeti i pasojave shkatërrimtarre, i mori jetën 51 shqiptarëve, plagosi qindra të tjerë dhe shkuli nga themelet vendin, me pasoja të tmerrshme për të gjithë shoqërinë. Ne i bashkohemi familjeve të viktimave, teksa përkujtojnë sot të dashurit e tyre.

Ende, kjo ngjarje kumbuese në zemrat e çdo shqiptari anë e mbanë botës, nuk ka qenë mësim i mjaftueshëm, që Shqipëria të ishte sot më e përgatitur ndaj katastrofave natyrore.

Në përvjetorin e 26 Nëntorit si ditë e zisë kombëtare, pesha e madhe e përgjegjësisë rëndon mbi institucionet, mbi qeverinë shqiptare, për të marrë çdo masë që në të ardhmen të kemi sa më pak dëme në jetën, shëndetin dhe pronën e çdo qytetari.

Do t'i jemi përherë mirënjohës partnerëve që i'u gjendën pranë popullit shqiptar në ato ditë të vështira, si dhe për gadishmërinë e treguar për ndihmë konkrete në procesin e rindërtimit pas tërmetit. Mirëpo, sfida të ngjashme mund të ketë edhe në të ardhmen e afërt. Ndaj, me ekonominë modeste që ka, Shqipëria duhet të mënjanojë shpenzimet për luks qeveritar dhe të prioritarizojë shtetin dhe qytetarin.