Digjet shtëpia e Klodian Çalamanit, vrau Mateon 8 vjeç

Shtëpia ku jetonte Klodian Çalamani, vrasësi i 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Greçalli të Fierit është djegur këtë të premte. Dyshimet janë për zjarrvënie të qëllimshme për të zhdukur nga fshati gjurmët e atij që është pagëzuar Monstra i Fierit.

10 ditë pasi Klodian Çalamani u arrestua për vrasjen makrabre të 8-vjeçarit Mateo Vasiu në këtë oborr, banesa e 38-vjeçarit në Greçalli të Fierit është shkrumbuar nga flakët.

Thuajse gjithçka në dhomën e vrasësit të fëmijës është djegur, por struktura ka mbetur ende në këmbë.

Në këtë ambient, ai jetonte i vetëm mes rrëmujës e pisllëkut.

Brenda u gjetën bizhuteri femrash që nuk u mësua se kujt i përkisnin.

Ndërsa ushqimi ishte i paktë, alkooli nuk mungonte.

Në mur qëndronin dy flamuj kombëtarë.

Pasi 38-vjeçari u arrestua, familjarët e 8-vjeçarit kontrolluan shtëpinë e horrorit në kërkim të provave të reja për krimin ose personave të tjerë të përfshirë.

Dyshimet janë se zjarrvënia ndaj banesës mund të jetë një hakmarrje e familjarëve të 8-vjeçarit që u vra e varros brenda në oborr.

Por nuk përjashtohen as banorët e tjerë të fshatit që kanë dashur të zhdukin gjurmët e vrasësit të fëmijës në fshat.

Megjithëatë, policia e Fierit tregohet e rezervuar teksa po verifikon nësë ndodhet para një zjarrvënie të qëllimshme.

Vrasja shkaktoi revoltë të familjarëve, të cilët një ditë më pas mësynë në gjykatë në tentativën për të kryer vetëgjyqësi.

Ndaj prej 18 nëntorit Klodiani mbahet i izoluar në paraburgimin e Vlorës.

Ai u zhvendos aty nga Fieri, për të shmangur sulme të tjera.

Ndërkohë familjarët e të miturit kanë kërkuar që Çalamani të dënohet me vdekje.

Për këtë, ata kanë nisur një peticion me firma për rikthimin e dënimit kapital.