Buxheti ‘2022’, për bujqësinë, Duka: 2% më pak se vitin e kaluar, protestat e fermerëve në vesh të shurdhër
Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e buxhetit për fermerët, tha se 6 kërkesat e këtyre të fundit nuk do të merren parasysh nga qeveria shqiptare, pasi sipas kreut të qeverisë protesta e tyre është e bazuar në keqinformim.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini është shprehur se qeveria nuk e ka në fokus bujqësinë në vendin tonë, ndërsa shton se ndryshe nga vitii kaluar buxheti këtë vit ka rënë 2%
Agron Duka: Nuk e shoh që kjo qeveri ta ketë në fokus bujqësinë sepse buxheti për bujqësinë nga 12,9 miliardë që ka qenë 2021 në 12,7 miliardë për 2022. Që në krye të herës duket që nuk është parë si prioritet ashtu siç i takon bujqësisë, një sektor që punëson 40% të popullatës, jep rreth 20% të prodhimit bruto, ndërkohë që merr shumë pak. Minimalisht të ishte me të njëjtin progres siç ka buxheti në përgjithësi.
Ai tha se edhe pse ka një protestë të vazhdueshme të fermerëve të cilët kërkojnë mbështetjen shtetit, kërkesat e tyre bien në vesh të shurdhër.
Agron Duka: Ka një protestë të vazhdueshme të fermerëve shqiptarë pikërisht për paketën fiskale në bujqësi por kjo bie në vesh të shurdhër. Më vjen shumë mirë që edhe brenda segmenteve të majta, si Braçe ka reaguar pozitivisht në favor të fermerëve pavarësisht se bie ndesh me forcën e vet politike.
Ai tregoi se kanë çuar në parlament dy projekt-ligje, një për ndihmën që i duhet dhënë bujqësisë, dhe një për rregullimin e skemës së TVSH.
Agron Duka: Pretendimet e qeverisë janë: e zerojmë TVSH sepse në atë 6% që ne gjykojmë që ka qenë tatim i vlerave të shtuara nuk ka dhënë rezultate, dhe në vend që kjo të shkojë në favor të fermerëve ka shkuar në favor të grumbulluesve. Por duke qenë se grumbulluesit e marrin 0% TVSH dhe i kërkohet nga shtetit 20% atëherë diferenca shkon 20%.
Ne kemi çuar në Parlament dy projekt-ligje, një për ndihmën e bujqësisë dhe i dyti për rregullimin e skemës së TVSH. Duam që të barazohet TVSH në blerje dhe në shitje. Nëse do të arrihej në 6% do të ishte ideale, nëse jo të paktën 20% blerje dhe 20% shitje.
Përgatiti Anila Kolgjini.
