“Fëmijët janë në rrezik”, punonjësit e Shtëpisë së Foshnjës në Vlorë kundër mbylljes së institucionit
Punonjësit e Shtëpisë së Foshnjës në Vlorë janë shprehur kundër mbylljes së këtij institucioni sipas një reforme që synon që këta fëmijë të rikthehen në familjet biologjike. Punonjësit shprehen se janë të shqetësuar për atë që i pret fëmijët, ndërsa ata mund të përfundojnë pre e dhunës dhe abuzimit.
Shtëpia e Foshnjës në Vlorë do të mbyllet përfundimisht, ndërsa 13 fëmijë në shtëpinë e fëmijëve në Vlorë do të kthehen tek familjet biologjike.
Por punonjësit e Shtëpisë së Foshnjës, kanë dalë kundër këtij plani, duke thënë se ajo që nisi si projekt-pilot po kthehet në një reformë të thellë.
"Deri para datës 15 ne kemi ditur që ishte një projekt pilot dhe që fillonte për institucionin e Vlorës dhe të Korçës, ndërsa në datën 15 përfaqësuesi i organizatës "Nisma për ndryshim" i kontaktuar nga qeveria shqiptare për procesin e deinstitucionalizimit na tregon që kjo është një reformë."
Por problemi thellohet edhe më tej, teksa punonjësit thonë se janë të shqetësuar edhe për fatin e fëmijëve, të cilët mund të përfundojnë tek familjet e dhunshme.
"Nëpër familje nuk janë këto mundësi sepse ata po t'i kishin këto mundësi nuk do t'i sillnin në këto institucione."
"Ai fëmijë është i dhunuar nga familja, prindi mund të jetë me probleme të rënda sociale, mund të jetë me probleme mendore, mund të jetë pa prindër fare, mund të jetë me shumë e shumë arsye të tjera."
"Ne shikojmë nga situata ku kanë ardhur fëmijët janë të gjitha familje problematike."
Gjithashtu punonjëset rrezikojnë që në dhjetor të humbasin punën e tyre dhe janë të pasigurt për të ardhmen.
