“Braktisën Italinë”, njihuni me çiftin shqiptar që u kthyen për të kontribuar në vendin tonë
“Shqipëria është një vend që të fal shumë dashuri”, kështu është shprehur ditën e sotme në emisionin “Jeto me Orën” për RTV Ora Bernard Sylaj, i cili së bashku me bashkëshorten e tij Suelën kanë mbaruar studimet në Itali në degën e Ekonomisë dhe më pas janë rikthyer në Shqipëri.
Sipas tyre, pavarësisht dëshirës së madhe për të studiuar dhe arsimuar jashtë vendit, gjithmonë ëndrra e tyre ka qenë për t’u kthyer dhe kontribuar në vendin e tyre.
“Studimet bashkë me nusen time Suelën i kam përfunduar në Romë për Ekonomik. Vendimi për të ikur ishte për të bërë një hap përpara, që në momentin kur jemi larguar koka jonë ka qenë pas. Shqipëria është një vend që të fal shumë dashuri. Kemi qenë të prerë, për t’u kthyer në Shqipëri. Gjatë viteve që kemi qenë në Itali ata që kanë jetuar jashtë e dinë që kur jeton larg humbet disa faza shumë të rëndësishme me prindërit, faza të cilat nuk rikuperohen më. Institucioni i familjes në Shqipëri është diçka që ende funksionon, madje ata atje në Itali habiteshin për këtë fakt”, u shpreh Bernard.
Gjithashtu dëshirën dhe pasionin e zjarrtë për t’u kthyer e kontribuar në Shqipëri e shpreh edhe bashkëshortja e Bernard, e cila tha se “mezi prisnim të ktheheshim”.
“Në faza të ndryshme të jetës secili do që të japë më të mirën e tij, por gjithmonë kemi qenë për t’u kthyer dhe për të investuar në Shqipëri”, u shpreh Suela.
