Vrau 8-vjeçarin, Dragoti: Çalamani që në krimin e parë duhet të ishte mbyllur në spitale psikiatrike ligjore

Një ngjarje horror është regjistruar ditën e djeshme në Grecalli të Fierit, ku 38-vjeçari Klodian Çalami rrëmbeur dhe groposi 8-vjeçarin Mateo Vasiu.

Sociologu Edmond Dragoti shprehet se ngjarja e një ditë më parë në Fier, ishte një ngjarje makabër që mund të parandalohej.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Dragoti është shprehur se faji është edhe i shoqërisë pasi sipas tij nuk u kemi siguruar  mbrojtjen e nevojshme për jetën.

Edmond Dragoti: Është një ngjarje makabër e cila mund të parandalohej. Ne si shoqëri jemi të fajshëm për faktin se nuk u kemi siguruar fëmijëve tanë mbrojtjen e nevojshme dhe sigurinë për jetën. Prania e këtyre monstrave që hasën në shoqërinë tonë janë tregues edhe ineglizhencë shoqërore edhe i pandjeshmërisë së komunitetit ku ata jetojnë si dhe mosfunksionimit optimal të strukturave të pushtetit vendor dhe qendror të cilët duhet ta kishin kapur problemin se ai është një individ me probleme mendore të niveleve të rënda që nuk mund të lihen në mëshirë të fatit, në  vende ku të pranishëm janë fëmijë dhe gra.

 

Ai shton se fakti që komuniteti bashkëjetonte me autorin e vrasjes së 8-vjeçarit, ishte familjarizuar disi me mundësinë e krimit. Më tej thekson se që në krimin e parë në vitin 2006, autori duhet të ishte diagnostikuar se ishte me probleme të shëndetit mendor dhe duhet të trajtohej në institucione përkatëse.

Edmond Dragoti: Fakti që Komuniteti bashkëjetonte me këtë monstër ishte familjarizuar disi me mundësinë e krimit. Fshati ishte i sulmuar prej tij. Por me kalimin e kohës njerëzit fillojnë dhe bashkëjetojnë me të dhe ky familjarizim është i rrezikshëm, sepse u ulë vetëdijen qytetarëve dhe përgjegjësinë që ka secili prej nesh. Edhe krimin e parë, ai duhet të ishte diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor. Psikiatri duhet të ishte i pranishëm në proceset gjyqësore. Personat e tillë duhet të mbyllen në spitale psikiatrike ligjore.

Sipas tij gjendja e tij shëndetësore mund të ketë ardhur si pasojë e kushteve në të cilat është rritur.

Edmond Dragoti: Ai që në fëmijë është rritur në një mjedis ku i kanë munguar prindërit, dhe pa vëllezër dhe motra, në kushtet që askush nuk kujdesej për të, kjo e bënte atë të papërgjegjshëm në çdo sjellje të veten. Varfëria nga njëra anë,braktisja nga të afërmit dhe rritja e tij në kushtet e mungesës së çdo lloj edukimi, e bënte atë njeri të egër, në kuptimin e problemeve të çrregullimeve mendore por edhe në kuptimin se ishte rrezik për shoqërinë.

Përgatiti Anila Kolgjini.