Urdhri i ri ndalon publikimin e të miturve në rrjetet sociale, politikanët të parët që nuk ruajnë privatësinë e fëmijëve

Urdhri i ri i drejtorisë së arsimit parauniversitar, ndalon publikimin e imazheve të fëmijëve në rrjetet sociale, pa miratimin me shkrim  nga prindërit.  Por ndërkohë që për përfaqësuesit e institucioneve arsimore, kërkohet ky zbatim rregulli, në rrjetet sociale të politikanëve, nisur nga kryeministri, kryebashkiaku Veliaj, apo edhe ministrja e  Arsimit Evis Kushi  fëmijët përdoren për të reklamuar punën e tyre. 

Drejtoria e përgjithshme e arsimit parauniversitar ka  publikuar urdhrin e ri për institucionet arsimore që ndalon publikimin e fotove dhe videove pa miratimin e fëmijëve.

Urdhri i DPAP ngarkon me kompetenca përfaqësuesit e shkollave që të marrin lejë nga  prindërit,  miratim i cili duhet të jepet me  një dokument, dhe jo verbalisht.

Institucionet e arsimit parauniversitar dhe zyrat vendore të arsimit, edhe kur marrin miratimin e  prindërve duhet të kujdesen që publikimi  i imazhit të fëmijëve në rrjetet sociale  të bëhet duke u mbuluar fytyrën.

Në nenin 10 të këtij udhëzimi, thuhet se mosrespektimi i tij, përbën shkak për fillimin e procedimit disiplinor nga organet përkatëse.

Gjithashtu, është e mirëpërcaktuar, se nëse dikujt prej fëmijëve nuk u respektohet kjo e drejtë, atëherë  të dëmtuarit i lind e drejta  për kërkimin e një kompensimi.

Ndërkohë që në institucionet arsimore vendoset ky rregull,  rrjetet sociale  të politikanëve  janë të mbushur me fëmijë.

Kjo shkelje vërehet te faqja e kryeministrit Rama, i cili përdor fëmijët, për të treguar punën që qeveria ka bërë në qendrën komunitare në Shkozë.

Kjo nuk zbatohet as nga kryetari i Bashkisë,  Erion Veliaj, përmes një video në Facebook duke përdorur  imazhin  e fëmijëve, kryebashkiaku inauguron shkollën “Qazim Turdiu”.

Fotot e fëmijëve nuk mungojnë as në profilin e ministres së arsimit Evis Kushi.

Po për këto raste kush duhet të reagoje?