"Nëna e krimit është varfëria", Malaj: Qeveria mundohet ta zbukurojë realitetin, kjo vetëm sa fsheh problemet sociale

107 mijë euro është fondi që pritet të shpenzohet nga pesë bashki për dekorimin e qendrave me rastin e festave të fundvitit. Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik rezulton se deri tani 5 Bashki kanë nisur procedurat e tenderimit për blerjen e materialeve për dekorimin e ambienteve publike dhe organizimin e aktiviteteve të fundvitit.

Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se ka shpenzime për energjinë më shumë se sa për dekorin  dhe e dyta ka një angazhim më shumë për rrugët kryesore ndërsa pjesët e tjera të qytetit duken si të braktisura dhe duhet bërë kujdes me sa më pak shpenzime dhe në mënyrë sa më racionale të ketë një atmosferë festive.

Zoti Malaj u ndal dhe te ngjarja makabre e mbrëmjes së kaluar, 16 nëntor në Fier ku një 8-vjeçar u vra dhe u gropos nga fqinji i tij.

Malaj tha se buxheti më shumë shkon për policë se sa për ndihmën sociale.

Malaj: Si studiues i ekonomisë kam theksuar se Shqipërisë i duhen më shumë punonjës socialë, që punojnë jo që lozin letra në kompjuter, të cilët e dinë profilin social të çdo qytetari. Ajo ngjarje është drithëruese, po ashtu edhe përgjegjësia e strukturave të shtetit dhe komunitetit sepse risku që ai individ do bënte një krim ishte i lartë. Filozofi grek, Aristoteli thekson se nëna e krimit është varfëria. Politikat sociale të Shqipërisë janë më shumë numra statistikorë, se sa politika që ndihen në jetën e përditshme të individëve.

Për zotin Malaj diskutimi i buxhetit është jashtë realitetit.

"Qeveria mundohet ta zbukurojë realitetin, por realiteti nuk i zgjidh problemet sociale, vetëm i fsheh ato dhe i bën më të vështira."

Eksperti u shpreh se në aspektin e lidershipit është më mirë të komunikosh me qytetarët, është më mirë ta bësh pjesë të sfidës se gjendemi në një situatë të vështirë për shumë arsye, njëra prej tyre është dhe keqqeverisja e vendit se sa ta zbukurosh realitetin.

Malaj: Ka tendenca për të manipuluar treguesit dhe për të deformuar realitetin. Këto tendenca janë vënë re edhe në vendet në krizë. Unë jam i shqetësuar që nga të dhënat që ne shikojmë Eurobondi merret për arsye të cilat janë shqetësuese. Qeveria dështon të thithë fondet me kushte të buta të donatorëve dhe po e mbështet rindërtimin nga taksapaguesit shqiptarë dhe nga borxhet në rritje.

Sipas zotit Malaj varfërinë në rritje duhet ta kompensojë qeveria me politika reale jo me shifra statistikore sepse një nga kostot që ka varfëria është edhe shtimi i krimit. Diskutimi i buxhetit 2022 ka qenë më shumë një teatro politik, sipas tij. 

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku