Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit, Bardhi: Vetëm 5 kryetarë të PD dolën kundër, të tjerët sollën frymë bashkimi
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demorkatike Gazment Bardhi ka dalë në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së 71 kryetarëve të degëve të PD.
Në fjalën e tij, Bardhi tha se kundër Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit ishin vetëm 5 prej kryetarëve të degëve të PD, ndërsa pjesa tjetër ishin dakord.
Gazment Bardhi: Patëm një diskutim të gjatë dhe të mirë me kolegët e kryetarëve të PD, mbi organizimin e Kuvendit Kombëtar të PD më datë 18 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve. Dua të ndajë me ju frymën e lartë të bashkëpunimit që përcolli secili kryetar i degëve. Me përjashtim të 5 kryetarëve të 5 degëve që raportuan për një shqetësim në degët që drejtonin, pjesa tjetër konfirmuan frymën e bashkimin që përcjell Kuvendi Kombëtar i 18 Dhjetorit.
Më tej ai shtoi se anëtarët e PD të mos shqetësohen nga lajmet se nëse do jenë kundër Kuvendit Kombëtar të PD, do të përjashtohen pasi sipas tij nuk do të ketë përjashtime. Ai shton se 8 dhjetori nuk është për të përjashtuar demokratët, por për t’i bërë bashkë
Gazment Bardhi: Dua të ftoj çdo anëtar të PD-së që mos të shqetësohet nga lajmet e rreme dhe deklaratat dashakeqe se ky kuvend do të jetë kuvendi i përjashtimit të demokratëve që mendojnë ndryshe apo ata që do të marrim pjesë në mitingun e thirrur nga zoti Berisha në 11 dhjetor. 18 dhjetori nuk është për të përjashtuar demokratët, por për t’i bërë bashkë.
Për Bardhin frymën e përçarjes e ka përcjellë ish-Kryeministri Sali Berisha.
Gazment Bardhi: Frymën e përçarjes për fat të keq gjatë këtyre dy muajve e ka përcjellë vetëm zoti Berisha dhe qëndrime te tij kundër rregullave të bashkëjetesës dhe që përbëjnë statusin e PD.
Në fund gjithashtu tha se 5 kryetarë të degëve të cilët kanë shfaqur shqetësime lidhur me Kuvendin, janë sqaruar për çdo çështje.
Gazment Bardhi: Për cilindo që në këto dy muaj i ka fryrë zjarrit të përçarjes demokratët e kanë të qartë që nuk është në interesin e PD, por vetëm në interesin e tij. Theksoj se në 18 dhjetor ora 11:00 zhvillohet Kuvendi Kombëtar i PD, çdo anëtar dhe demokratët do të kenë mundësi për të folur dhe për tu bërë bashkë në misionin e vetëm dhe të përbashkët, atë të rrëzimit të Ramës. Ishin 5 kryetarë të degëve i Vlorës, Devollit, Fushë Krujës, Paskuqanit dhe kryetari i degës 1 në Tiranë, që shfaqën shqetësim lidhur me Kuvendin. Të gjithë janë dëgjuar, janë respektuar dhe janë sqaruar për çdo çështje”, tha Bardhi.
