"Shqipëria është kthyer në turp të Evropës", Demalia: Klasa politike përbëhet nga banditë, PD drejt çarjes
Beteja brenda PD-së midis kreut aktual Lulzim Basha dhe ish-liderit Berisha vazhdon.
Në njërën anë, zoti Berisha ka vendosur datën 11 dhjetor për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, ndërsa nga ana tjetër Basha e quan datën 18 si legjitime për mbledhjen e këtij Kuvendi.
Analisti Ilir Demalia në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, me gazetaren Siklajda Shorja u shpreh se PD do të korrë atë që ka mbjellë.
Demalia: Kjo që po ndodh sot në PD është një alarm i paralajmëruar që në fillim të viteve 90 dhe kjo parti ka grumbulluar rreth liderit të saj historik Sali Berisha, që është drama e kësaj partie njerëz pa kontribute e pa moral. Një nga shërbëtorët e fundit të Sali Berishës ishte Lulzim Basha. Berisha e mori dhe e solli në parti pa asnjë kontribut, asnjë vlerë, pa asnjë paraqitje të tij qoftë publike. E mori dhe e futi në parti, e emëroi në 3 kryeministri, pastaj e bëri kryetari partie. Në fund kur Lulzim Basha e përjashtoi me vendimin e DASH, Berisha kthehet në armikun numër një të Lulzim Bashës jo për motive të vlerave dhe për demokratizimin e partisë, por thjesht për vendimin e tij personal.
Demalia shtoi se ata që janë përjashtuar nga partia, duan të përdorin Berishën për inate personale kundër Bashës dhe asnjë nuk ka qëllim politik.
Demalia: Këtu është një rreth vicioz i të keqes që kanë ngritur këta së bashku dhe nga kjo e keqe nuk dilet me një të keqe. Partia Demokratike është në lëmshin më të madh dhe unë nuk besoj që me këto elementë që shoh kjo parti do të prodhojë diçka të re. Kjo parti do të degradojë nga dita në ditë. Përfundimi do të jetë që PD do të çahet.
Sipas analizës së zotit Demalia, Shqipëria gjendet në një krizë të tmerrshme sociale, kulturore, politike, drejtësie. Është një degradim si në asnjë shembull tjetër. Zoti Demalia bëri krahasimin me shtetin e Kosovës dhe tha se funksionon në mënyrë më normale se Shqipëria.
Demalia: Kjo ka ndodhur sepse e gjithë kjo klasë politike, duke filluar nga '90 janë banditë dhe njerëz kundër interesave kombëtare dhe interesave të shtetit shqiptar. Këta janë armiqtë më të mëdhenj të shteti shqiptar. Shqipëria sot është kthyer turp i Evropës në të gjitha drejtimet.
Sipas analizës së tij, PD do të çahet dhe Berisha do të marrë gjysmën e deputetëve ose më shumë nga grupi parlamentar, ndërsa Basha do të ketë një grup tjetër. Sipas tij, në këto momente janë 2 PD. Por sipas tij, tragjike sot nuk është çarja e PD-së, por fakti që në Shqipëri nuk ka opozitarizëm.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Xhuljana Zhuleku
