Projketbuxheti i 2022-it, Haxhi: Parashikohet thellim i borxhit publik
Teksa në Komisionet Parlamentare projektbuxheti i vitit 2022 ka qenë temë debati, eksperti i ekonomisë, Elton Haxhi, pohon se nuk sheh ndryshim të madh të buxhetit të 2022-it në krahasim me vitet e kaluara.
Sipas tij buxheti i 2022-it parashikon thellim të borxhit publik.
Në një intervistë për edicionin informativ në studion e Ora News, Haxhi thotë se deficiti i buxhetit do të sjellë një pasiguri në rritje, në lidhje me financat publike.
"Nuk shoh ndonjë ndryshim shumë të madh në këtë projekt buxhet në krahasim me historikun me projekt buxhetet të viteve të fundit, duke përjashtuar ato parashikimet që kishin lidhje me pandeminë edhe tërmetin. Edhe në 2022 më tej në projekt buxhetin afatmesëm parashikohet një rritje e të ardhurave tatimore.
Nga ana tjetër një rritje e shpenzimeve dhe tentativë e qeverisë për të stimuluar rritjen ekonomike nëpërmjet investimeve publike. E thënë kjo ky buxhet parashikon një thellim të borxhit publik, pra në kundërshtim me atë strategji që kemi pasur më parë në lidhje me konsolidimin fiskal, tashmë edhe në periudhën afatmesme, vëmë re që borxhi publik vazhdon të rritet. Kemi një deficit edhe në 2022, një rishikim në krahasim me vitet e kaluara për 2022, duke e rritur deficitin e buxhetit të shtetit. Dhe kjo do të sjellë një pasiguri në rritje, në lidhje me financat publike, " u shpreh eksperti i ekonomisë.
E keni fjalën edhe për borxhin e jashtëm me vendim të Kuvendit, lidhur me huan prej 700 milionë eurosh?
Elton Haxhi: Po, ka një rishikim ehe të raportit, në vend të marrjes të borxhit të brendshëm që parashikohej vitin e kaluar për vitin 2022 e në vazhdim. Tani kemi një ndryshim të strategjisë dhe kalim në borxh të huaj.
Që do të thotë një risk më të madh fiskal, sepse dihet që borxhi i huaj ka sjellë një risk më të madh se sa borxhi i vendit, për shkak edhe të monedhës. Dhe për më tepër se shkojnë drejt konsolidimit fiskal në periudhë afatmesme, ashtu siç ishin planet e mëparshme, por vazhdojmë drejt një strategjie me investime publike dhe me shpenzime publike, pavarësisht rritjes së të ardhurave, duke sjellë dhe risqe fiskale.
Nga ana tjetër një problem shqetësues që shoh unë është mungesa e fondit rezervë dhe e kontigjencave në lidhje me përballimin e krizave, të krizave të energjisë, të pandemisë, sepse dhe vitin tjetër do kemi nevojë për vaksina.
Do kemi nevojë për mbështetje sociale, mund të kemi nevojë për një shtesë sociale në lidhje me rritjen e çmimeve të energjisë. Këto kontigjenca unë nuk i shoh në këtë buxhet, që do na çojë përsëri në një seri aktesh normative, rishikim pas rishikimi gjatë viti të ardhshëm. Nuk është normale për një buxhet serioz.
Në të gjitha pikat që ju përmblodhët, a është normale që një qeveri që deklaron edhe krizën energjetike dhe ekonomike, ku parashikoi që më shumë se 1 të tretën, ose 637.6 miliardë lekë të buxhetit të shkojë për shpenzime?
Elton Haxhi: Një nga mënyrat për të mbështetur ekonominë janë edhe investimet publike. Dhe për vitin 2022 po ndiqet e njëjta strategji. Nuk është gabim. Është një nga mënyrat, se si mbështetet ekonomia në periudhë krizash.
Investimet publike do të sjellin një shtyrje, një stimul në rritjen ekonomike në përgjithësi. Pra një nga faktorët është edhe kjo. Nuk është se ka rritje të madhe por janë munduar të mbajnë një nivel të kënaqshëm të investimeve publike. Pastaj eficenca që lënë investimet publike lënë për tu diskutuar.
Nga krahu i buxhetit duket se ka një incentiv për rritje ekonomike. Pastaj nëse kjo rikthehet në një gjë të mirë për qytetarët është çështje tjetër.
Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehu kritika për paketën e re fiskale, që është prezantuar nga qeveria për vitin e ardhshëm, teksa kërkoi dhe shtyrjen e konsultimeve në këtë paketë. Çfarë nuk shkon në paketën fiskale të propozuar nga qeveria. A është i nevojshmë hartimi i ligjit të ri mbi tatimet mbi të ardhurat siç rekomandon Dhoma Amerikane?
Elton Haxhi: Nuk mund të themi që është paketë këtë vit, sepse janë ndryshime minimale. Përkundrazi janë ca meremetime, që mbase mund të ishin evituar dhe duheshin bërë ndryshime tjera. Nuk kanë bërë ndryshime të mëdha.
Nuk kanë ndikim të biznesi ndryshimet që janë bërë?
Elton Haxhi: Patjetër te ato grupe biznesesh ka ndikim. Nuk them që nuk ka ndikim. Çështja e fermerëve për shembull në krahun e TVSH-së , më në fund qeveria reagoi. Sepse e ka kuptuar prej kohësh që instrumenti i tvsh-së nuk mund të përdoren si instrument për subvencion.
Është çështje transparence, ne nuk e dimë se sa përfitonin këta fermerë nga skema e TVSH-së dhe sa është fondi në dispozicion që do vihet si subvencion direkt.
Nuk jam në të njëjtin mendim me Dhomën e Tregtisë, që thotë se nuk duhet të ketë ndryshime. Jam shumë dakord me Dhomën që këto ndryshime nuk janë konsultuar, pra kaluan në qeveri pa konsultim publik.


