"Eurobondi do të rrisë borxhin", KE: Përmirësimi i vonuar i financave qeveritare do të ngadalësojë uljen e borxhit publik
Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 6.9% gjatë këtij viti. Ky është parashikimi i vjeshtës i Komisionit Evropian, i cili e sheh si rrezik nivelin e vaksinimit, shtrenjtimin e energjisë elektrike por edhe marrjen e Eurobondit.
Pandemia dhe kriza energjitike rrezikojnë ritmet e rritjes ekonomike në Shqipëri. Komisioni Europian ne raportin e vjeshtës vlerëson se pritshmëritë janë përmirësuar nga pranvera deri tani, duke e çuar në 6.9%, nga 4.1% që ishte.
”Parashikimi për ekonominë shqiptare mund të rrezikohet nga shkalla e ulët vaksinimit kundër COVID-19 dhe rritja potenciale e çmimit të energjisë elektrike. Një rritje e konsiderueshme e çmimit të karburanteve mund të ndikojë negativisht në Shqipëri, kryesisht nëpërmjet çmimeve më të larta për importin e energjisë elektrike; ky faktor mund të bëhet evident në rast të reshjeve të pamjaftueshme.”
Faktorët që kanë ndikuar në rritje janë vetëm turizmi, rritja e investimeve dhe rikuperimi i konsumit privat.
Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e dyta pas Malit të Zi për nivelin e rritjes ekonomike.
Megjithatë në raport, Komisioni Evropian tërheq vëmendjen e qeverisë shqiptare për konsolidimin e vonuar fiskal, që vlerësohet se do të vonojnë uljen e defiçitit fiskal dhe të borxhit publik.
“Në vitin 2021, vazhdimi i shpenzimeve të larta publike për investime parashikohet të mbajë defiçitin fiskal të lartë në nivelin 5.9%, pavarësisht rikuperimit të të ardhurave. Me përfundimin e rindërtimit pas tërmetit, investimet publike pritet të ulen përgjatë vitit 2022. Megjithatë, rritja e planifikuar e pagave në sektorin publik, së bashku me emetimin e një eurobondi parashikohet të ngadalësojnë uljen e defiçitit fiskal dhe raportin e borxhit.”
Komisioni Europian parashikon qe financat do të përmirësohen ndjeshëm vetëm në vitin 2023.
