Vranësira dhe rënie temperaturash në të gjithë vendin, njihuni me parashikimin e motit për sot

Territori shqiptar deri në mesditë karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta.

Por pasditja do te sjelle zhvillim të vranësirave në ekstremin jugor dhe zonat e izoluara në veriperëndim të vendit duke rrezikuar shira të dobët dhe afat-shkurtër, sipas MeteoAlb.

Gjatë orëve të natës pritet që vranësirat të shtohen në të gjithë vendin.

Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në mëngjes, por pritet sërish rënie në orët e mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 4°C deri në 23°C.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi Jugor, kjo do të bëjë që në brigjet detare të gjenerohen dallgë 3 ballë.

Rajoni dhe Europa

Moti i kthjellët do të dominojë pellgun e Mesdheut dhe pjesën më të madhe të Europës Juglindore si pasojë e prezencës së një qendre anticiklonare në brigjet e Detit të Zi.

Ndërsa vijon nën ndikimin e qendrës ciklonare Europa Veriore dhe ajo Lindore duke sjellë reshje të dendura shiu e dëbore. Po ashtu, vranësira dhe rrebeshe shiu do të ketë sërish në qendër të kontinentit.