Katastrofa në Shëngjin, pas denoncimit në mediat shfaqet policia kufitare dhe inspektorët e mjedisit
Vetëm pas alarmit në media për krimin mjedisor në Shëngjin, autoritetet lokale u vunë në lëvizje.
Në zonë u shfaqën motovedetat e policisë kufitarë, ndërsa ekspertët e Policisë së Shtetit dhe inspektorët e mjedisit nisën hetime për të gjetur ndotësin me naftë të Shëngjinit.
"Etapat në vazhdim kanë të bëjnë me nxjerrjen e shkaktarëve të kësaj ndotje dhe përtë këtë do të bëjmë kontakte me Durrësin dhe kapitenerinë e portit në lidhje me anijet që kanë kaluar gjatë kësaj periudhe për të ditur nga ka ardhur ndotja."
Një sasi e madhe nafte është derdhur në det duke krijuar ndotje alarmante në bregdetin e Shëngjinit, siç tregojnë dhe pamjet në video.
Uji i detit vezullon nga mbetjet hidrokarbure ndërsa në zonën bregdetare ndjehet era e rëndë.
Ndotja ka prekur rreth 1 km të gjatësisë bregdetare ndërsa vala e karburantit vijon të përhapet.
Vitet e fundit në bregdetin shqiptar nga veriu në jug janë shënuar disa raste të ndotjes me karburant.
Fajtorë kryesisht janë anijet tregtare ose tragetet që derdhin mbetjet në det për të shmangur tarifat e pastrimit në porte.
