Trafiku i kokainës nga Belgjika dhe Holanda drejt Italisë, rrjetit të vëllezërve shqiptarë u sekuestrohen edhe 86 kg kokainë e hashash

Grupit të trafikantëve shqiptarë që transportonin kokainë nga Amerika e Jugut përmes Holandës drejt Italisë e Europës u janë sekuestruar sot dhe 86 kg të tjera drogë. Nëse do hidhej në treg pritej të sillte një fitim mbi 2.5 milionë euro.

42 kg kokainë e 44 kg hashash  janë sekuestruar ditën e sotme , pak ditë pas ekzekutimit të operacionit të pak ditëve më parë nga Guardia di Finanza e Bolonjës i koduar "Maffi",  i cili çoi në shkatërrimin e një grupi trafikantësh që drejtohej nga dy vëllezër shqiptarë me banim në Holandë e që trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut përmes porteve holandeze drejt Italisë dhe Europës.

Gazetarja e Rtv Ora e Ora News në Itali, ka mundur të zbardhë se ky operacion ka çuar në sekuestrimin e një sasie tjetër të madhe droge, rreth 86 kg, prej të cilave 42 kg janë kokainë, 44 kg hashash e 300 gramë pluhur përgatitje për dozat e drogës.

Burimet zyrtare kanë zbardhur se zbulimi i sasisë së drogës ka qenë i rastësishëm pas zyrtarizimit të urdhrit me arrest shtëpiak të një shtetasi italian që punonte si korrier droge për llogari të trafikantëve shqiptarë.

86 kg drogë u gjetën fshehur pas një porte të murosur në banesën e korrierit në një fermë kafshësh në provincën e Reggio Emilias.

Pas kësaj porte, mbyllur në një dollap u gjet sasia e drogës.

"Kjo sasi e sekuestruar dëshmon se grupi i shqiptarëve ka vazhduar të trafikojë deri në momentin e arrestimit", deklarojnë burimet zyrtare për RTV Ora e Ora News.

Sipas Financës Italiane e hedhur në treg kjo sasi kokaine e hashashi do të sillte për grupin kriminal një fitim mbi 2.5 milionë euro.

Operacioni i koduar "Maffi" ka çuar në arrestimin e  10 personave, 6 prej të cilëve shqiptarë e në sekuestrimin e 6 banesave në pronësi të trafikantëve të arrestuar, të 5 sipërfaqeve tokësore, 22 llogari bankare me vlerë 850 mijë euro,  4 pistoleta, 5 automjete, dy prej të cilave përdoreshin për trafikimin e kokainës.

Trafiku i kokainës nga Belgjika dhe Holanda drejt Italisë, rrjetit

Trafiku i kokainës nga Belgjika dhe Holanda drejt Italisë, rrjetit