"Humbëm identitetin tonë politik, Olli: Basha humbi konceptin e lidershipit në 2016, u shkëput nga PD
Anëtari i Bordit Drejtues të Bindjes Demokratike, Leonard Olli ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Olli është shprehur se më shumë PD nuk luan më rolin si partia më e madhe e djathtë në vend.
Ai thotë se situatën brenda PD nuk e lidh me mosmarrëveshjet që kanë ndodhur mes ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryedemokratit Lulzim Basha.
Leonard Olli: PD edhe pse është partia më e madhe, prej më shumë se 5 vitesh nuk e luan rolin e lokomotivës që ka mbetur një vagon i braktisur në një stacion që tashmë ka të dëmtuar edhe shinat. Unë nuk do e lidhja situatën e PD thjesht me marrëdhënien e Bashës me Berishën. Marrëdhënia e tyre ka funksionuar deri para largimit të Berishës nga grupi parlamentar, si rezultat i një vendimi individual. Deri në atë moment ka pasur një shkelje e syri nga ana e Berishës për të gjithë veprimtarinë e Bashës si drejtues i PD.
Ai shprehet se në fund të vitit 2016 Basha devijoi nga pozicioni i liderishipit, ndërsa në 2017 PD humbi identitetin politik.
Leonard Olli: Në fund të vitit 2016 pati një devijim të Bashës në konceptin e lidershipit, lidershipi u shkëput nga PD. Krijoi një lloj distance në orientimin politik. Në 2017 ne humbëm identitetin tonë politik.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
