Hysaj: Pjesa e parë për t’u harruar, luajtëm me frikë. Cikalleshi ndjen keqardhje për tifozët
Janë fytyra të mërzitura, të zhgënjyer ata të lojtarëve që dalin dhe flasin pas humbjes së rëndë me Anglinë. Mbrojtësi Elseid Hysaj e pranon se skuadra luajti me frikë dhe se golat ishin një mungesë përqëndrimi.
“Pjesa e parë është për t’u harruar e gjitha. E nisëm keq dhe na mungonte përqendrimi. Me këto kundërshtarë mjafton të shpërqendrohesh pak dhe e pëson. Hymë me pak frikë dhe e pësuam, por humbëm edhe një rast me Uzunin, që mund të ndryshonte ndeshjen, po ta kishte shënuar. Nuk besoj se ndeshjen e kemi marrë lehtë, pasi ishte Anglia dhe meriton respekt. Megjithatë nuk duhet të kemi frikë, sepse mjafton respekti. Nuk ishin të frikshëm anglezët, por ne patëm frikë dhe nuk luajtëm me siguri. Është e vështirë kur hyn pa bindje në fushë”, tha Hysaj.
Në anën tjetër, Cikalleshi tejet i zhgënjyer deklaroi se goli i parë shokoi ekipin dhe se mungesa e përqëndrimit ndikoi shumë.
“Ishte një ndeshje që duhet të bënim më mirë. U munduam të luanim futboll ofensiv dhe t’i bënim presing lart Anglisë por nuk ia arritëm. Më vjen shumë keq që pësojmë gola me goditje standarte. Besoj që është më shumë mungesë përqendrimi. Më vjen keq për tifozët e shumtë që ishin në stadium dhe ata që na ndoqën nga shtëpia. Të shohim përpara dhe të fitojmë ndeshjen me Andorrën pasi është detyrim për ne. Me ekipe të tilla duhet të shënosh edhe kur ke gjysmë rasti. Për fat të keq Uzuni nuk shënoi dot. Ishin edhe goditjet e mia, por nuk duhet të flasim në aspektin individual, ne bëjmë diferencën kur luajmë në grup”, u shpreh sulmuesi kuqezi./Ora News/.
