Ndoti me naftë detin në Shëngjin, shpallet në kërkim kapiteni i anijes
Bregdeti i Shëngjinit është mbushur të premten me karburant, pasi një anije tregtare e ka derdhur atë në breng të detit, policia ka njoftuar se është shpallur në kërkim kapiteni Ermir Kosova ndërsa deri në këto momente ai ende nuk është arrestuar.
Ndotja skandaloze e bregdetit të Shëngjinit është bërë nga një anije tregtare, e cila ka dalë nga porti paraditen e së premtes.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim kapitenin e mjetit lundrues të një subjekti që dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore duke ndotur ujin në detin e Shëngjinit.
Ai është shtetasi Ermir Kosova dhe sipas policisë gjatë verifikimeve të kryera dhe pas administrimit të raportit të nisjeve të anijeve në portin e Shëngjin, nga shërbimet e Policisë, ka rezultuar se ka dalë në lundrim anija tregtare me kapiten personin në fjalë për të cilin u bë shpallja në kërkim, për veprën penale "Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës" , pasi dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore në detin e Shëngjinit.
Gjithashtu, janë marrë mostra të ndotjes për ekzaminim të mëtejshme, si dhe është administruar praktika e daljes së anijes nga porti.
Materialet hetimore në lidhje me rastin u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Ndotja e ujerave në bregdetin e Shëngjinit u konstatua mesditën e së premtes, ndërsa Vala e karburantit u përhap në një gjatësi pre 1 km, duke krijuar një aromë të rëndë në zonë e cila u kthyer në shqetësim për vendasit e vizitorët.

