Firmat e Berishës, Çela: Blofin po luan Basha, e di mirë se janë mbledhur më shumë se duhet. LSI e ndoqi me besnikëri drejt humnerës
Analisti, Genti Çela, e sheh të domosdoshme "përplasjen" brenda PD. I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma ai thotë se Basha e humbi shansin për ta thirrur vetë Kuvendin Kombëtar të PD dhe të ftonte në arenën e luftimit Berishën dhe mbështetësit e tij.
Çela: Viktimat e këtyre 8 viteve do të ringrihen dhe bashkohen rreth PD pas kësaj foltorje dhe pas kësaj "përplasje" që e shoh të nevojshme. Vetëm vota dhe gara i shpëton shoqëritë demokratike. Duhej që Basha të thërriste një Kuvend Kombëtar, të thërriste në arenë luftimi Berishën dhe mbështetësit e vet. Tani është shumë vonë. Mbetet që Basha dhe të vetët ti verifikojnë firmat e mbledhura.
Sa i takon debatit mbi firmat, Çela thotë se blofin po e luan Basha pasi e di më mirë se askush tjetër se janë mbledhur mbi atë që përcakton statuti.
Çela: Është shumë e vështirë nga dita në ditë për të parë një kryetar të PD të vërtetë, që i bën ballë sfidave dhe gara. Për herë të parë kur nuk e ka mbështetjen e zotit Berisha duhet të dilte në arenë. Fakti që nuk ka dalë Basha i druhet përballjes me pjesëmarrësit në foltore. Basha e di më mirë se çdokush tjetër se firmat janë mbledhur, më shumë sesa duhet. Blofin po e luan ai vetë dhe jo Berisha, është e sigurtë.Do të ishte shumë transparente që të paktën të depozitoheshin te kreu i PD dhe Sekretari i Përgjithshëm për verifikim.Është një dyshim që Basha mund të ketë ndikim ende te kryetarët e degëve të PD dhe deputetë e grupit parlamentar ku ai do të donte një dështim të Kuvendit që nuk do mblidhej në masën 50+1%. Kjo logjikë ka çuar që Foltorja ti mbajë firmat në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar, Paloka është i emëruar nga Basha. Paloka nuk ka firmosur vetë. Unë do të doja shumë që kopjet origjinale të firmave të delegatëve të ishin dorëzuar te Basha.
E ndërsa Berisha ka shfaqur ambicien për kthimin si kryetar i PD dhe kryeministër, ai ka këtë koment.
Çela: Ai ka qenë në pozicionet më të larta dhe nuk mendoj se ka dëshirë të madhe për të qenë kryetar i PD. Por si duket ka kuptuar se është njeriu që ka qëndruar mbi palët në gjithë konfliktet që kanë ndodhur në PD në 8 vite.Ka ruajtur dinjitetin e PD dhe me të përjashtuarit që në momnentin kur kanë thënë një mendim kundër parisë së partisë janë përjashtuar. Në këtë parti ka ndodhur që nënkryetarë të PD, sekretarë të përgjithshëm e kanë marrë vesh nga media nëse do jenë në listë për deputetë, në cilin qark do kandidonin dhe të satët do të jenë në garë. Është mungesë alarmante e mungesës së demokracisë në PD.
Veç përplasjes së brendshme, PD ka nisur tashmë një konfrontim dhe me aleatët, LSI-në. Çela thotë se LSI e ka ndjekur me besnikëri PD porse gabimi i Bashës qëndron te djegia e mandateve.
Çela: Nuk mendoj se PD është në përplasje me LSI. Një grup i vogël që ka vulën e PD tani pasi ka shpallur luftë frontale FRPD, të nesërmen Lidhjes Demokratike të Gruas, tani ka filluar një luftë me aleatët.LSI dhe partitë e tjera të vogla për të cilat kam rezervat e mia se mungon dhe atje demokracia. Por për të qenë të drejtë LSI e ka ndjekur me besnikëri Bashën drejt humnerës së vet, nëse Basha nuk do të kishte djegur mandatet nuk do kishim këtë kod zgjedhor, do të ishin të dyja në koalicion dhe jam i bindur se do kishin më shumë deputetë dhe ndoshta do ishin në pushtet. Nuk di marrëveshjet nën tavolinë për 15 deputetë të sigurtë por di që nga fillimi i këtij sesioni parlamentar kanë pasur problemet e tyre që nga mosdakordësimi për të krijuar një grup parlamentar të LSI.

