Mori ryshfet gjatë një hetimi në një aksident, arrestohet oficeri i policisë në Elbasan
Punonjësi i policisë, K.O., 52 vjeç, me detyrë Specialist dhe Oficer i Policisë Gjyqësore, është arrestuar ditën e sotme pasi akuzohet për “Shpërdorim detyre" dhe "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike". Arrestimi është bërë nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Sipas policisë, 52-vjeçari dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerën 50.000 lekë gjatë hetimit të një aksidenti rrugor, ku mbetën të plagosur disa shtetas.
“SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të procedimit penal të vitit 2021, ndjekur me metoda speciale të hetimit, ka kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj punonjësit të policisë N/Komisar K.O., 52 vjeç, me detyrë Specialist dhe Oficer i Policisë Gjyqësore për hetimin e aksidenteve në Sektorin e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan.”- njofton SHÇBA.
