Spaho: Kuvendi është shumë legjitim, po mblidhen firma të tjera. PD ka nevojë të ndryshojë

Janë dorëzuar 4200 firma në selinë e PD për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Në lidhje me firmat ka pasur debate të shumta, ku sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është shprehur se nuk janë mbledhur firmat e nevojshme për të mbledhur Kuvendin Kombëtar.

Në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho është shprehur se kushdo mund të shkojë dhe të bëjë verifikimin e firmave atje ku janë depozituar, ndërsa shton se Kuvendi po mblidhet duke u bazuar në atë çfarë përcakton statuti.

Edmond Spaho: Vazhdojnë të mblidhen edhe firma të tjera. Statuti e ka përcaktuar qartë se cilët janë delegatët e Kuvendit Kombëtar. Dallon nga kryetarët e seksioneve, sekretarët e grup seksioneve, kryesia e degës, dhe më pas vijnë anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët, dhe drejtuesit qendrorë që janë këtu. Është shumë e thjesht për të bërë verifikimin, nëse dëshiron, pasi statuti për mbledhjen e Kuvendit ka përcaktuar dy forma ose nëpërmjet organeve përfaqësuese, ose vetë mbledhja nga anëtarësia. Në këtë rast jemi në thirrjen e Kuvendit nga anëtarësia e PD. 

Neni 43 e përcakton se duhen  25% e firmave të delegatëve, sikurse përcakton që kërkesat që shqyrtohen në Kuvend duhet të mbështeten jo më pak se 15% e delegatëve. Këto të dy kushtet plotësohen. Kushdo mund të shkojë atje ku janë depozituar firmat dhe të bëjë verifikimin. Lulzim Basha e ka shprehur se nuk do të lejohet të mbahet Kuvend dhe e ka cilësuar si anti-amerikan. Po ç’lidhje ka me Amerikën Kuvendi i PD? Do merren në shqyrtim ndryshimet statutore dhe më pas do të hapet gara e Kryetarit.

Spaho ka komentuar dhe vendimin e Kryedemokratit Lulzim Basha për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD duke thënë se ishte një veprim në kundërshtim me statutin. Ai thotë se kohët e fundit Basha ka marrë vendime personale në shumë çështje të rëndësishme në PD.

Edmond Spaho: Basha ka vepruar në kundërshtim me statutin për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar. Vendimarrje personale, për çështje shumë të rëndësishme në PD ka pasur pa kufi.

Sipas Spahos PD ka nevojë të ndryshojë, për shkak të frymës që është krijuar në këtë parti.

Edmond Spaho: Kuvendi është shumë legjitim. Basha ka humbur katër palë zgjedhje dhe nuk ka dhënë dorëheqjen. PD ka nevojë të ndryshojë për shkak të frymës që është krijuar aty. Atje nuk ka debat.

Përgatiti Anila Kolgjini.