Rikthehet libri, në 17-21 nëntor zhvillohet edicioni i 24 i panairit me 90 pjesëmarrës

Të mërkurën që vjen hapet në Pallatin e Kongreseve Panairi i Librit, një rikthim në normalitet ky i këtij aktiviteti kulturor pas kufizimeve nga pandemia.  

Për të gjithë dashamirësit e llibrave, lexues, autorë apo shtëpi botuese datat nga 17-21 nëntor do të jenë për ta.

Megjithëse ende në kushtet e pandemisë këtë vit, edicioni i 24-t i Panairit të Librit do të zhvillohet në sallë, aty ku mbahet tradicionalisht  në Pallatin e Kongreseve.

"Për fat të mirë këtë vit Panairi do të kthehet në formatin tradicional në Pallatin e Kongreseve me të gjitha rregullat në një situatë ende pandemike."

Në këtë edicion marrin pjesë 90 ekspozues.

"Kemi pjesëmarrje të lartë, janë 90 ekspozues ku pjesa më e madhe janë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi."

Nuk do të mungojnë aktivitetet  dhe bashkëbisedimet mes gazetarëve dhe pjesëmarrësve, për të diskutuar mbi problemet e botimeve shqiptare dhe përkthimet.

Një vit më parë, për shkak të pandemisë, Panairi u zhvillua online duke shmangur grumbullimet.