Vjeshta e artë në Gramoz, natyra dhe historia e fshatrave të Kolonjës frymëzon piktorët
Ngjyra e artë që kanë marrë mali i Gramozit dhe fshati i Rehovës në Kolonjë këtë vjeshtë, janë kthyer në burim frymëzimi për piktorët e kolonisë së artit. Pamjet më të bukura po hidhen në telajo, ndërsa qëllimi është promovimi i zonës me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit.
Shtëpitë e gurta me porta karakteristike të Rehovës dhe Mali i Gramozit që qëndron përballë, po hidhen në telajo.
Pamja që ndërthur bukuritë e natyrës me historinë e traditën shërben si frymëzim për rreth 40 piktorët e kolonisë së artit në Kolonjë.
"Peisazhi, mali, qielli, çdo gjë. Vjeshta me gjethet e zbehura, çdo gjë është frynmëzuese."
"Mali i Gramozit është shumë fantastik."
Mjeshtrit e peisazhit që e zbuluan për herë të parë thonë se mbetën të mahnitur dhe e kishin të vështirë të zgjidhnin çfarë do të hidhnin në tablo.
"Edhe këtu kam kapur disa shtëpi të vjetra, pavarësisht se janë rrënoja kanë një perspektivë."
Organizatorët thonë se qëllimi është që arti të jetë promotor i zhvillimit.
"Të jashtëzakonshëm, është nëj thirrje për gjithë dashamirësit e natyrës, të kulturës e trashëgimisë kulturore," tha Fatmir Toçi.
Ndërsa artistët janë të bindur se e ardhmja do të jetë e bukur ashtu si vetë pamja.
Por sfida është mbrojtja dhe promovimi.
"Zhvillimi do të sjellë turistë, dhe turistët do të përmirësojnë ekonominë. Është një vend me shumë të ardhmen."
"Trashëgimia jonë kulturore duhet ruajtur, e kemi jashtëzakonisht të pasur, si në Kisha, si në kulturë, si në në ndërtime të ndryshme."
Punimet që do të realizohen gjatë kolonisë së pikturës do të prezantohen në një ekspozitë.
