“Katrori i pushtetit”, regjizori Budina: Seriali ‘pasqyrë e realitetit’, prek të gjithë shoqërinë shqiptare
“Katrori i pushtetit” është seriali më i ri që ka nisur në kinematë e kryeqytetit. Me regji të Robert Budinës një projekt i mbështetur nga Bashkimi Europian, trajton shoqërinë e cila ndodhet pikërisht në një katror pushtetesh ku përfshihet politika, bota e krimit dhe media.
Ngjarja zhvillohet nga tre gazetare të cilat janë duke investiguar tre ngjarje kriminale. Përfshirja e tyre bëhet e rrezikshme jo vetëm për jetën e tyre por edhe të familjes.
Budina tha për emisionin “Jeto me orën” se ky serial ka ngritur disa problem të realitetit ku ne jetojmë.
“Arti të jep forcë të komunikosh me shpirtin e njerëzve. Ky serial prek gjithë shoqërinë dhe një sërë problematikash ngrihen si pabarazia gjinore e shumë të tjera” u shpreh ai.
Edlira Çepani aktiviste në mbrojtje të të drejtave të njeriut, pjesë e këtij projekti e cilësoi serialin si një pasqyrë të realitetit duke thënë se ai synon ta nxjerrë shoqërinë pikërisht nga ky katror ku është futur.
Çepani tha se edhe pse linja kryesore është media, janë ato gazetarë të cilët hasin vështirësi në punën e tyre. “Ka disa kategori të padukshme në media, të cilët në këtë serial bëhen më të dukshëm se kurrë. Aty tregohet vështirësia që hasin gazetarët investigative në punën e tyre” u shpreh Çepani.
Ndërsa skenaristja e “Katrorit të pushtetit” Ajola Daja tha se ky serial përçon një të vërtetë të madhe një të vërtëtë që të gjithë ne e kemi me veten. Seriali nën regjinë e Robert Budinës dhe Mateo Cingu jetësohet nga një kastë aktorësh Neritan Liçaj, Ema Andrea, Gentian Zenelaj, Sara Smaja, Myzafer Zifla, Romir Zalla, Orli Shuka dhe Dasara Xhangolli vetëm dy episode janë zbuluar, pritet që publiku të ndjekë dhe 6 episode.
Në kërkim të fillit që i bën bashkë interesat e biznesit me ato të politikës dhe botës së krimit, të tre gazetaret do të ekspozohen, secila në formën e vet me pasoja të rrezikshme për shkak të profesionit. Jetët e tyre kalojnë nëpër sfida të forta, jo vetëm në karrierë por edhe në familje. Katrori i Pushtetit është pasqyrim i mundshëm i shoqërisë së kalbur.

