Gazetarët e huaj në Itali vlerësojnë kinemanë italiane/ Mes tyre dhe gazetarja e Ora News, Alba Kepi
Është zhvilluar një natë më parë, 8 nwntor në Auditorium e Parkut të Muzikës në Romë, edicioni i 61 i Çmimeve të Festivalit "Globo D'oro", një nga eventet vlerësuese më të larta të kinematografisë italiane, së bashku me çmimet "Davide di Donatello" e "Nastri d'Argendo".
Një juri e përbërë nga 50 gazetarë të huaj të akredituar në Itali, mes të cilëve dhe gazetarja e RTV Ora e Ora News, Alba Kepi, kanë vlerësuar protagonistët më të mirë të kinemasë italiane gjatë vitit 2021.
Kinemaja Italia rikthehet për të apasionuarit e saj, me praninë e publikut në salla, pas gati dy vite mbyllje pandemike.
Nata gala e shpërndarjes së çmimeve të Festivalit "Globo D'Oro", u zhvillua në një atmosferë unike me pjesëmarrjen e personaliteteve më të njohur të kinemasë e kulturës italiane.
Ky vlerësim internacional për artistët, autorët e regjisorët italianë, vjen pas një pune të gjatë një vjeçare të jurisë së gazetarëve në përzgjedhjen e veprave më të mira në 16 kategori të ndryshme.
Edicioni i 61 i këtij Festivali vlerësoi si filmin më të mirë "Motrat Marcaluso".
Për regjinë më të mirë u vlerësua filmi "Lacci" i regjisorit Daniele Luccheti e për skenarin më të arrirë filmi "Governance", i autorëve Michael Zampino, Heidrun Schleef e Giampaolo Rugo.
Fitues katër herë i çmimit "Nastro d'Argendo", dy herë i "Davide di Donatello", drejtori i fotografisë Daniele Cipri u vlerësua me "Globo d'Oro 2021", si fotografia më e mirë e filmit "Il cattivo poeta", që rrëfen vitet e fundit të jetës së poetit të madh italian Gabrielle D'Anunzio. Ky vlerësim iu dorëzua nga gazetarja shqiptare e RTV Ora.
Puna e gazetarëve është të rrëfejnë, histori e ngjarje të vërteta herë të dhimbshme e herë me fund të lumtur si ç'ndodh shpesh në filma e një reflektim i tillë gjen simbiozën në filmin "Veleno", i vlerësuar si filmi dokumentar më i mirë italian i këtij viti nën regjinë e Hugo Berkeley.
Si reporterë të huaj që prej vitesh jetojnë e punojnë në Itali, juria e gazetarëve të këtij Festivali ka kuptuar dashurinë e madhe që kanë italianët për futbollin.
E të jetosh në Romë nuk ka si të mos influencohesh nga sportdashësit e tifozërive të dy skuadrave kryeqytetase.
E ndoshta kjo që dhe një nga motivet që të shpallet si seria më e mirë televizive filmi "Speravo di morire prima" që rrëfen jetën e ish kapitenit të skuadrës së Romës, Francesco Totti e nën interpretimin e jashtëzakonshëm të Ugo Tognazit e Pietro Castellitos.
Aktori më i mirë u shpall Kim Rossi Stuart në filimin "Cosa sarà".
Juria e gazetarëve të huaj e pati mjaft të vështirë të zgjidhte aktoren më të mirë italiane ndër interpretimet e mrekullueshme të aktorëve italiane. E ky vlerësim iu dha dy protagonisteve të filmit "Le sorelle Macaluso", Donatella Finocchiaro e Simona Malato.
Një moment emocionues i mbrëmjes gala qe dhënia e çmimit GloBo d'Oro për Karrierën, vlerësim për regjizorin Giuliano Montaldo, ikonë e historisë së kinematografisë italiane e President i Akademisë së Kinemasë, fitues i mjaft cmimeve kinematografike kombëtare e botërore.
Eventi u pasurua nga muzika e mjeshtrit Ennio Morricone nën interpretimin në piano të djalit të tij Andrea Morricone me një homazh ndaj kompozitorit jo më në jetë, fitues i Oscar.
Për muzikën më të mirë në edicionin e këtij viti u vlerësua Mattia Carratello & Stefano Ratchev në filmin "Padrenostro".
Çmimi i Madh Globo d'Oro i shkoj aktorit të komedisë italiane Renato Pozzetto e komedia më e mirë u vlerësua "L’incredibile Storia dell’Isola delle Rose".
Nora Stassi, u vlerësua si aktorja më e mirë premtuese për kinemanë italiane, ndërsa filmi "Paradise, una nuova vita" si filmi më i mirë ndër veprat e para të autorëve italianë.
Një risi e Globo d'Oro 2021 qe dhënia e cmimit të karrierës për jurinë, e cila vlerësoj kolegen e tyre, gazetaren franceze Elisabeth Missland, ndërsa Globo d'Oro për italianët në botë i shkoj filmit "Miss Marx".

7 
6 
5 
3 
2 
1
