“Shushunjat jashtë nga zyrat e shtetit”, Manja: Vetëm në dy javët e fundit kanë mbërritur 248 denoncime
Pas tetë vitesh në qeverisje, socialistët ndërmarrin një fushatë antikorrupsion në administratë. Ministri i Drejtësisë tha se me një instrument të ri do të vendoset ndëshkimi i zyrtarëve.
Njësia Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë do ta nisë fushatën me legalizimet dhe hipotekën.
Ulsi Manja foli për ndjekje penale ndaj zyrtarëve që janë të implikuar në afera, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë duke ju referuar një rasti konkret.
“Kam një thirrje shumë të sinqertë për të gjithë qytetarët. Mos u nënshtroni, na vini në provë, na sfidoni me zërin tuaj dhe nëse ne nuk do tu përgjigjemi atëherë ju keni të drejtë të ktheheni te ankesat, kritikat, qarjet, mallkimet, pasi jua kanë marrë lekët. Jua bëj thirrjen qytetarëve që ankohen për mjekët, hipotekën, legalizimet, pyjet, mjedisin, faturat, policinë dhe çdo lloj inspektori në territor. Kjo është një betejë që ne mund ta fitojmë, por nuk e fitojmë dot pa qytetarët. Duhet të jemi bashkë sepse halli i njërit prej jush sot bëhet edhe halli i tjetrit dhe këto shushunja, këta taxhim ymer që kërkojnë bekajete dhe fryhen me vulën e shtetit e me punën e djersën e gjakun tuaj, unë jam i bindur që mund t’ia dalim t’i mposhtim. Në platformën e bashkëqeverisjes keni mundësinë që me një klik të na njoftoni dhe ne e ruajmë deri në fund identitetin tuaj. Do ta falënderoj sot atë qytetar që dosja është gati dhe po e dërgoj në Prokurori. E nëse do ma lejojë do bëj një foto me të ditën që drejtësia do të thotë fjalën e saj. Nga sot çdo zyrtar duhet ta dijë se qytetarët kanë një zë të tyrin dhe që i kontrollojnë veprimtarinë dhe shërbimet që i kërkojnë direkt nga telefoni. Detyra jonë si njësi anti-korrupsion është t’i çojmë deri në fund këto raste”, u shpreh ministri Manja.
Manja pranoi pakënaqësinë për nivelin e korrupsionit në administratë, por tha se kjo është një betejë. Vetëm në dy javët e fundit sipas Ministrit kanë mbërritur 248 denoncime.
"Para hyrjes në fuqi të njëjësisë anti-korrupsion ishin në zyrë 215 raste. Aktualisht në këtë njësi kanë ardhur 248 denoncime që përfshijnë hipotekën dhe agjensinë kombëtare të burimeve natyrore. Inspektoriatin për Mbrojtjen e Territorit. Tregon se qytetarët kanë zgjedhur këtë dritare për të zgjidhur problematikat e tyre. Ne do të flasim vetëm me vepra. Njësia anti-korrupsion është një nga dritaret për të denoncuar. Ne trajtojmë të gjitha praktikat abuzive. Ne kemi marrë një dokument pune nga këshilli i lartë gjyqësor shumë shpejt ky grup i përbashkët pune sipas ligjit do ta prezantojmë me konsultimin publik, e me grupe të interesit. Është proces që na detyron ligji nr.98 çdo gjë në kohën e duhur. Jemi në mandatin e tretë dhe kemi të gjithë mekanizimat e duhur për të luftuar korrupsionin. Por kjo nuk do të thotë që ne sot. Është betejë që nuk luftohet me një ditë dhe nuk vijohet me fushata".
Drejtësinë e re të reformuar, e cila ende nuk ka mbyllur zyrtarët e korruptuar në qeli, Manja e justifikoi me faktin se ështëgjendur pa prova, dhe tani e tutje situata do ndryshojë. Pas tetë vitesh qeverisje, Ministri i Drejtësisë kërkon nga qytetarët vënien në provë.

