Elbasan/ Vrau me thikë 28-vjeçarin dhe i plagosi vëllanë e vogël, arrestohet autori. Sherri nisi për motrën

Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të vrasjes së 28-vjeçarit Florenc Kovaçi dhe  plagosjes së vëllait të tij më të vogël, 19-vjeçarit Mikel Kovaçi në Elbasan.

Ai është Ardit Hida, 24 vjeç. Shkak i vrasjes është bërë një sherr për ngacmimin e motrës së tij nga njëri prej vëllezërve që mbetën të dëmtuar.

Gjatë operacionit, policia gjeti dhe sekuestroi mjetin prerës që i mori jetën 28-vjeçarit dhe plagosi vëllain e viktimës 19 vjeç.

Mësohet se Hida e ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe plagosjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen  e sotme, 5 nëntor në qytetin e Elbasanit, pas një sherri të momentit i cili agravoi deri në përdorimin e mjeteve të mprehta.

Si pasojë e sherrit mbeti viktimë 28-vjeçari Florenc Kovaçi dhe u plagos rëndë vëllai i tij 19 vjeç, Mikel Kovaçi i cili u transportua drejt spitalit të Traumës në gjendje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:50, në lagjen "Qemal Stafa".

“Më datë 05.11.2021, rreth orës 19:50, në lagjen "Qemal Stafa", Elbasan, pas një konflikti për motive të dobëta mes dy vëllezërve dhe disa personave të tjerë, konflikti është përshkallëzuar dhe për pasojë dy vëllezërit janë plagosur me mjet prerës thikë. Si pasojë e plagëve të marra njëri prej vëllezërve  shtetasi F.K., rreth 28 vjeç, banues në Elbasan ka ndërruar jetë ndërsa vëllai tjetër shtetasi M.K 19 vjeç, ndodhet në spital për ndihmë mjekësore. Shërbimet e policisë po krehin zonën me qëllim kapjen e autorëve.” – bëri me dije policia.