Ndjekje, përplasje makinash, të shtëna në ajër dhe 1 shpërndarës kokaine në pranga, aksion si nëpër filma në Lezhë

Ndjekje, përplasje makinash, të shtëna në ajër dhe në fund një shpërndarës droge në pranga.

Një aksion antidrogë i policisë së Lezhës përfundoi si një film aksion.

Blutë kishin marrë informacion se një person që po udhëtonte nga Miloti drejt Lezhës me një makinë tip BMV transportonte drogë.

Ai është lokalizuar nga shërbimet e Policisë në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i M+".

Aty shoferi nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet duke përplasur automjetet e shërbimeve të Policisë dhe rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Në përfundim, Policia njofton se neutralizoi drejtuesin e automjetit Shaqir Veseli, 27 vjeç, banor i Milotit.

Burime thanë se një efektiv qëlloi në ajër gjatë aksionit për të detyruar shoferin e makinës të ndalojë, por në njoftimin zyrtar policia e Lezhës nuk e bënte me dije një detaj të tillë.

Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë gjetur lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Ndaj 27 vjeçarit Shaqir Veseli u ngritën akuzat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe " Kundërshtimi i punonjësit të Policisë".