"U martova 16 vjeç", gruaja e dhunuar nga Tirana rrëfen tmerrin me burrin: Rrihte dhe fëmijët kur më dilnin në mbrojtje
Një grua e dhunuar ka vendosur të rrëfejë historinë e saj në emisionin e pasdites “Jeto me Orën”.
Duke i ruajtur anonimitetin gruaja nga Tirana ka treguar ajo është martuar në moshën 16 vjeçare dhe është mamaja e tre fëmijëve. Që në fillimet e lidhjes ajo tregoi se është dhunuar nga burri jo vetëm psikologjikisht por edhe fizikisht.
Ajo tregoi ndër të tjera se bashkëshorti rrihte edhe fëmijët pasi ata e mbështesnin dhe e mbronin. Por prej 7 muajsh nuk arrin dot të komunikojë me fëmijët sipas saj është bashkëshorti që i nxit kundër. Gruaja është larguar nga banesa pasi thotë se shpesh herë është dhunuar.
Ajo ka nisur edhe një proces gjyqësor për të bërë divorcin i cili ka mbetur pezull për shkak se gjyqtarja që kishte këtë çështje është pezulluar.
Në studio ishin të ftuara edhe avokate Xhoi Nelaj dhe psikologen Jonida Haxhiu, të cilat folën për divorcin, fenomen që në vendin tonë vitet e fundit është në rritje.
Avokatja Nelaj tregoi e shqetësuar se fëmijët që përballen me divorce të prindërve kanë shumë nevojë për mbështetje.
“Fëmijët që përballen me divorcin e prindërve duan shumë mbështetje pasi hasin probleme psikologjike, duke rënë nga mësimet apo edhe duke e fajësuar veten për ndarjen e prindërve” u shpreh Nelaj.
Ndërsa psikologia Haxhiu tregoi se janë raste të shumta këto që gratë nuk denoncojnë pasi kanë frikë nga dhuna e burrit ose se mos fëmijët e tyre i marrin inat.
“ Frika nga dhuna e burrit dhe frika se mos humbasin fëmijët gratë nuk denoncojnë rastet e dhunës” përfundoi Haxhiu.
