"Policëve u njihen lekët e rrugës", Çuçi: Ata që punojnë jashtë vendbanimit shpërblim me 150% të pagës aktuale

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi konfirmon nga Komisioni i Sigurisë rritjen e pagave për efektivët e Policisë, të cilët do të punojnë jashtë vendbanimit. Shpërblimi do të bëhet në bazë të kilometrave. Çuçi ka pohuar gjithashtu se në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk është parashikuar blerja e gazit lotsjellës.

Sa kilometra do përshkojnë aq më tepër para do te marrin. Bëhet fjalë për policet që do të shërbejnë jashtë vendbanimit të tyre.

Ministri Çuçi bëri të ditur lajmin për shërbimet para deputeteve të Komisionit të Sigurisë.

"Nga 20 deri në 60 kilometra largësi, do të përfitojnë 20% më shumë mbi pagën, nga 61-120 km do përfitojnë 30% më shumë mbi pagën dhe mbi 121 km do të përfitojnë 50% mbi pagën mujore," tha Çuçi.

Opozita tha se punonjësit e Policisë prej dy vitesh nuk po e marrin vaktin ushqimor që garantohet me akt normativ.  

Për këtë pretendim ministri Çuçi sqaroi: "Sot që flasim forcat e ndërhyrjes së shpejtë, forcat RENEA e marrim, Garda ka tjetër trajtim."

Në komision u diskutua dhe blerja se gazit lotsjellës, e përfolur si çështje në medie qe pas protestave të fundit të opozitës.

"Nëse do këtë protesta zoti ministër a keni parashikuar në buxhet blerjen e gazit lotsjellës? Apo ka rezerva Serbia dhe do të na i sjellë për të helmuar qytetarët. Apo ndoshta jeni më zemërmirë se paraardhësi Lleshaj."

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi mohoi të jetë parashikuar në buxhet blerja e gazit lotsjellës.

"Nuk është parashikuar për tu përgjigjur drejtpërdrejtë. Kështu që mund të protestoni lirisht."