Kuvendi Kombëtar i PD, Mërtiri: Berisha nuk prodhon dot një forcë opozitare që mund të rrëzojë Ramën


Më 11 Dhjetor do mbahet Kuvendi Kombëtar i PD. Lajmin e dha pak ditë më parë ish-Kryeministri Sali Berisha, pasi sipas tij janë mbledhur 1500 firmat e delegatëve.

Pedagogu Ergys Mërtiri në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Beti Njuma është shprehur se Berisha ka hyrë në një lojë për të delegjitimuar Krydemokratin Lulzim Basha.

Ergys Mërtiri: Duket sikur është një lojë Shahu ku palët përpiqen të fshehin strategjitë e tyre se çarë kërkojnë të realizojnë. Berisha ka hyrë në lojë për ta delegjitimuar Bashën. Do bëjë një Kuvend, do mbledhë njerëz aty dhe do marrë vendime të cilat Kryesia dhe strukturat e PD nuk do i njohin. Nëse ti ke mbledhur firmat t’i çosh firmat në organet përkatëse që merret me verifikimin e firmave, pra ka disa rregulla. Për mua e gjithë kjo përpjekje është për t’u kapur pas një fryme rrëmuje, rebelimi, pra kërkohet të bëhet se s’bën një tension.

Sipas tij Berisha s’ka asnjë alternativë për të prodhuar një forcë opozitare që mund të rrëzojë Kryeministrin Edi Rama.

Ergys Mërtiri: S’ka asnjë alternativë reale për të prodhuar një forcë opozitare e cila mund të rrëzojë Ramën. Berisha e di se Rama nuk mund të rrëzohet me protesta politike. Kjo është manipulative, nuk ke asnjë projekt të qartë që ti do ndërtosh një opozitë si alternativë për të ardhur në pushtet.

Përgatiti për online Anila Kolgjini.