Babë e bir qarkullonin me dy automatikë nëpër Tiranë, arrestohen
Babë e bir ranë në prangat e policisë së Tiranës për armëmbajtje pa leje. Uniformat blu arrestuan shtetasin S. J., 39 vjeç dhe djalin e tij E. J., 16 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa ju sekuestruan 2 armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
"Shërbimet e Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kishin grumbulluar informacione në rrugë operative se këta 2 shtetas po qarkullonin me një triçikël, me armë zjarri me vete. Bazuar në këto prova, gjatë operacionit, në rrugën “Ali Kolonja u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve. Gjatë kontrollit të triçiklit u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri automatik dhe municion luftarak" njoftoi policia.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe shtetasja P. T., 68 vjeçe, e cila dyshohet se ruante në banesën e saj armët e zjarrit që iu sekuestruan shtetasve të lartpërmendur. Gjatë kontrollit në banesën e saj u gjet një armë gjahu pa leje, e cila u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, gjatë këtij operacioni.
Vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe zbulimin e qëllimit që kishin këta shtetas, me armët që posedonin.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Tiranë, për hetime të mëtejshme.

