Vrasja e të riut shqiptar në Gjermani, vetëdorëzohet në polici një 17-vjeçar i dyshuar për krimin
Një 25-vjeçar shqiptar u vra natën e Halloweenit në Gjermani, 31 tetor teksa po vizitonte një të afërm që ndodhej në Këln.
Mediet gjermane bëjnë me dije se një 17-vjeçar është vetëdorëzuar në policinë gjermane si autor i dyshuar për vrasjen.
I riu shqiptar u vra natën e Halloween me një objekt të mprehtë në Rochusplatz pas një feste. Në vijim të hetimeve, policia ishte në kërkim të një burri me bluzë të bardhë, i cili u largua nga vendi i krimit.
Dy ditë më vonë, i riu është dorëzuar në polici së bashku me një avokat. Ai dyshohet se e ka vrarë me thikë duke e qëlluar në pjesën e sipërme të trupit. Por ende është e pakonfirmuar nëse arma është një thikë apo send tjetër i mprehtë.
I dyshuari ndodhet në qendrën e paraburgimit për të rinjtë. Ai nuk i është përgjigjur pretendimeve në lidhje me akuzën e vrasjes, shkruan Bild.
