Mesazh me tritol në Fushë Krujë? Shpërthim në portën e jashtme të një banese
Një sasi ende e pacaktuar eksplozivi shpërtheu pas mesnate, (5 nentor) në portën e banesës së familjes së Edmond Hidrit në fshatin Zallë.
Nga shpërthimi është dëmtuar vetëm dera dhe një pjesë e rrethimit të jashtëm të banesës.
"Më datë 05.11.2021, rreth orës 00:56, tek porta e rrethimit të jashtëm të banesës së shtetasit E. H, në fshatin Zallë, Fushë-Krujë, ka plasur një sasi e vogël dyshohet lëndë plasëse", njofton policia.
Edhe për shkak të orarit, fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por sulmi me tritol ka shkaktuar panik mes anëtarëve të familjes Hidri dhe gjithë zonës përrreth.
Pronari i banesës, Edmond Hidri nga verifikimet e para rezulton person pa precedent penalë.
Në dëshminë e parë, pas sulmit ai tha se nuk ka konflikte me asnjë person.
Megjithatë, policia lokale në kuadër të punës për identifikimin e autorëve të tritolvënies, po verifikon edhe të shkuarën e pronarit të banesës.
Sulmet në tritol në derë të shtëpisë kanë qenë të vazhdueshme në Fushë Krujë, dhe gjithmonë janë lexuar si mesazh kriminal.





