"Pak minuta për të dalluar abuzimin", psikologu të hetojë çdo detaj të bisedës me fëmijët

Një psikologu me eksperiencë i duhet vetëm pak minuta bisedë me një fëmijë për të dalluar nëse kemi të bëjmë me një rast të dyshuar dhunë. Nëse sistemi i referimit  nuk ka funksionuar, atëherë duhet  të shihet puna e psikologut.

Shumë pak minuta i duhen një psikologu për të dalluar nëse një fëmijë mund të jetë viktimë e abuzimeve.

Presidentja  e Urdhrit të Psikologut, Valbona Tresa  shpjegon se sjellje dhe detaje nuk duhet të neglizhohen por duhet të investigohet pas tyre.

"Një fëmijë që është 6-7 vjeç apo edhe pak më i vogël e ka shumë të vështirë të manipulojë, prandaj them që është aftësi e psikologut për të identifikuar qoftë edhe një bisede. Fjalinë e parë fëmija mund të ta mohojë, por fëmija munde që të vihet në siklet edhe nuk ndihet komod, në momentin që i krijon komoditet nuk ka fëmijë që nuk do ja referonte psikologut këtë," u shpreh Tresa.

 Në shumë raste sistemi i referimit nuk ka funksionuar siç duhet, ose se nuk e ka vërejtur askush, ose se stafeta e trajtimit nuk ka kaluar te institucionet  vepruese.  Atëherë kur problemi ngec  te psikologu, nuk duhet të mungojë as verifikimi i punës së tyre.

"Duhet të jesh vëzhgues shumë i mirë, duhet të jesh hulumtues shumë i mirë i emocioneve të atij fëmije. Nëse një psikolog e shmang këtë gjë, ose nuk di ta bëjë këtë gjë, atëherë na ngelet detyra e psikologut, duhet parë se çfarë nuk ka shkuar tek vetë psikologu," u shpreh Tresa.

Një psikolog duhet fillimisht të jetë pjesë e urdhrit të psikologut e të jetë i pajisur me licencë, ndërsa për punësimin e tij në sistemet shkollore duhet  kalojë dhe disa kualifikime të tjera sipas kërkesave të ministrisë së Arsimit.