"Open Balkan", Zhulali: Nismë e paqartë, po shkojmë në një bashkëpunim mjalti me Serbinë

Samiti i radhës i "Ballkanit të Hapur" u mblodh në Beograd ditën e sotme, 4 nëntor ku Presidenti Aleksandër Vuçiç, kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov folën për angazhime konkrete lidhur me lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve mes këtyre tri vendeve.

Këshilltarja e Presidentit për Çështjet e Integrimit Ilda Zhulali e ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se "Open Ballkan" është ende një nismë shumë e paqartë. Kjo nismë, sipas saj, filloi në 2013 si një propozim për të krijuar një bashkëpunim rajonal.

Zhulali: Askush nuk di të japë përgjigje të saktë se çfarë po ndodh dhe se çfarë ofron për qytetarët e rajonit. Kjo është ofruar si një ide për bashkëpunim të hapur mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, por përmes retorikës ajo që vëmë re duket si një nismë përjashtuese se sa ftuese ndaj vendeve të tjera. Ajo çfarë thotë retorika e kësaj nisme është të zbatojë 4 liritë e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Por këtu ka një problem parimor themelor sepse ata që cenojnë liritë e tyre së brendshmi, nuk mund të bëhen garant të lirive së jashtmi. Ne kemi një prapësim në lirinë e medies në Shqipëri, një nga pikat më kritike të raportit të progresit të këtij viti ishte pikërisht kjo.

Sipas zonjës Zhulali asaj ç'ka propozon "Open Ballkan" duhet t'i hyhet me themel, duke mos folur për aspekte të tjera që është mospjesëmarrja e vendeve të rajonit. Zonja Zhulali gjatë bisedës në studio shtroi pyetjen se çfarë po ndodh sot në rajon? Sipas saj, ka një jehonë shumë të madhe në mediet evropiane, në mediet amerikane nga studiues të ndryshëm shikohet me potencialin për të plasur një luftë e re në Ballkanin Perëndimor.

Zhulali: Kjo nuk është rastësore, kanë ndodhur një zinxhir ngjarjesh me provokime të njëpasnjëshme. Ka dhe veprime konkret të cilat po ndodhin. Ajo që mua më bën përshtypje është pse në Shqipëri nuk po flitet për këtë gjë dhe bëhet sikur ky kontekst nuk ekziston dhe ne përkundër këtij konteksti problematik po shkojmë në një bashkëpunim mjalti me Serbinë, ndërkohë që gjuha, veprimet e një prej këtyre fqinjëve, të Serbisë minimalisht nuk e favorizojnë këtë. Nuk shprehin sinqeritetin që do të kërkonte një bashkëpunim i vërtetë. Ka një gjuhë urrejtje që gjallon në mjedisin tonë  dhe ne nuk mund të bëjmë sikur nuk e shohim, sikur nuk e dëgjojmë.

Sipas saj, kryeministri Rama ka informacion të detajuar për gjithçka që po ndodh. Zhulali u shpreh se perspektiva e të gjashta vendeve të rajonit është anëtarësimi në BE dhe për këtë ka një angazhim të ripërtërirë të SHBA dhe BE së bashku.

Zhulali: Gjërat në rajon po ndodhin dhe janë të shoqëruara fatkeqësisht jo me lajme pozitive, por me mbjelljen e një klime toksike që nuk çon drejt bashkëpunimit, por ne po shkojmë drejt së shkuarës.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku