Abuzimet seksuale, Belshaku: Në shkolla të futet edukata seksuale, prindërit të flasin me fëmijët
Një tjetër abuzim horror është zbuluar këtë herë në Libohovë të Gjirokastrës ku për 4 vite rresht një minorene është abuzuar seksualisht nga daja i babait të saj.
Në lidhje me këtë temë që tashmë është kthyer në një fenomen shqetësues për vendin tonë, pedagogia Sabina Belshaku në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini është shprehur se familja jonë po zhbëhet.
Sipas saj prindërit po humbasin kontaktin me fëmijët e tyre, gjë që sipas saj këto të fundit të jenë më të ekspozuara ndaj abuzimeve seksuale.
Sabina Belshaku: Faktorët që ndikojnë në shtimin e rasteve të dhunës. Duket sikur familja jonë po zhbëhet. Prindërit që sot po mundohen që të bëjnë punë të ndryshme po humbin kontaktin me fëmijët. Një familje e cila ka humbur komunikimin është një familje stresuese e bën më vulnerabël fëmijën dhe e ekspozon më shumë ndaj abuzimeve seksuale.
Ka edhe familje që nuk kanë afeksion emocional me fëmijët e tyre e mbajnë atë larg. Një pjesë e këtyre fëmijëve qëndrojnë të vetmuar, të izoluar brenda mureve të tyre dhe kjo i bën më vulnerabël ndaj një personi tjetër.
Si pasojë ky fëmijë përjeton një vetëbesim të ulët, përjeton një mungesë afeksioni të cilën e kërkon dhe mund ta gjej diku jashtë. Ka një mungesë komunikimi të prindërve me shkollën, ka një mungesë të konsolidimit të marrëdhënieve prind-shkollë-komuninitet. Duhet të shtohet më shumë roli dhe funksioni i punonjësve social në shkolla. Duhet të rrisim edukimin seksual tek fëmijët. Pra zhbërja e komunikimit brenda familjes unë e shoh si derivat edhe të ekspozimit të fëmijëve të tyre ndaj përvojave të tilla.
Ajo thotë se në lidhje me seksualitetin prindërit duhet të flasin më shumë me fëmijët, ndërsa shton se në shkolla duhet të futet lënda e edukatës seksuale.
Sabina Belshaku: Duhet folur më shumë me fëmijët , duhet t’u kushtojmë më shumë kohë atyre, duhet që t‘i zëmë më tepër pasditet e tyre me aktivitet që ndikojnë në rritjen e vetëbesimit. Duhet të ketë më shumë trajnime për ta ngritur zërin më shumë, për të ndërgjegjësuar opinionet publike. Në shkolla duhet të bëhet edukata seksuale, do ndikonte pozitivisht tek nxënësit.
Sipas saj numri i fëmijëve që janë abuzuar seksualisht është më i lartë sesa është raportuar.
Sabina Belshaku: Numri i fëmijëve që janë të abuzuar seksualisht është shumë herë më i lartë se ai që tregohet në databaza zyrtare. Për mua është alarmante, duhet të flasim më shumë për seksin dhe për zhvillimet trupore. Kjo fillon në shkollë dhe në familje.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
