Tjetër abuzim, 16-vjeçarja në Gjirokastër akuzon dajën e babait: Më ka përdhunuar që 12-vjeçe
"Që kur ishte 12 vjeçe dhe deri sot që kryen marrëdhënie me vajzën."
Një tjetër abuzim horror është zbuluar këtë herë në Libohovë të Gjirokastrës ku për 4 vite rresht një minorene është abuzuar seksualisht nga daja i babait të saj.
Ngjarja ndoshta nuk do të ishte zbuluar kurrë për shkak edhe të një mentaliteti që ekziston në zonat rurale, por 16-vjeçarja ka pasur probleme të rënda me shëndetin dhe në këto kushte është detyruar të rrëfehet me nënën e saj, e cila edhe pse e papunë nuk kuptoi dot kurrë për 4 vite rresht se vajza e saj abuzohej rregullisht.
"Ishte e vogël. Që 12 vjeçe është abuzuar. Tregoi vetëm dje, nuk më shkonte mendja te ai."
Autori i dyshuar, shtetasi K.H 53 vjeç, është arrestuar dhe po merret në pyetje.
Vajza mësohet se ka treguar 4 ditë më parë për një gjakderdhje të pashpjegueshme që dyshohet të ketë qenë një abort jashtë kushteve spitalore, dhe së bashku me nënën dhe të afërm është nisur drejt spitalit.
Mësohet se pas pyetjeve të mjekëve ajo ka treguar gjithë historinë para psikologut e më pas para familjarëve të tjerë të cilët i janë drejtuar policisë.
Në gjendje të rëndë psikologjike, e ëma e të miturës thotë se nuk kishte dijeni për abuzimin për 4 vjet rresht të vajzës së saj.
"Nuk dija gjë fare, tregoi vetë vajza. Për herë të parë e kishte zënë te shtëpia e tij."
Vajza shkonte gjithashtu në shkollë dhe nuk dihet nëse edhe në këtë rast ka pasur një mosfunksionim të zinxhirit mësues-psikolog.
I akuzuari për abuzimin jetonte vetëm që pas vdekjes së bashkëshortes, dhe ndarjes nga një tjetër grua, ndërsa kishte marrëdhënie të mira me familjen e viktimës dhe shkonte shumë shpesh në shtëpinë e tyre
E mitura mësohet se është në gjendje të rëndë psikologjike, ndërsa po merr mjekimin pranë spitalit të Gjirokastrës.

