Rikthimi i Metës në LSI? Vasili refuzon të përgjigjet: S’kam koment për çështjet që kanë të bëjnë me Presidentin

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka refuzuar të japë një koment në lidhje me mundësinë e rikthimit të Presidentit Ilir Meta tek LSI.

I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në RTV Ora, teksa u pyet për deklaratën e Kryemadhit që bëri pak ditë më parë në lidhje me Metën, ku tha se çdo rikthim është i pritshëm, Vasili u shpreh se nuk do të komentoj as një çështje që ka të bëjë me Presidentin.

Petrit Vasili: Nuk kam komentuar dhe as nuk komentoj çështjet që kanë të bëjnë me Presidentin e Republikës. Ne po flasim për mënyrën e aktivizmit, të qëndruarit  ballë përballë problemeve të LSI. Përsa i takon procesit të integrimit evropian, nuk ka pasur kurrë një rast të vetëm ku të kërkohej një vendimmarrje e përbashkët e cila varej nga opozita ku të ketë pasur një pozicion obstruktiv.

Monika Kryemadhi pak ditë më parë u shpreh: Nuk e kam diskutuar, por LSI mirëpret çdo njeri që do të kthehet dhe të kontribuojë për të forcuar demokracinë dhe për të rikthyer demokracinë në shoqërinë shqiptare që ka qenë e brishtë këto vitet e fundit.