Heshtja e LSI, Vasili kundërshton: Kemi pasur qëndrimet tona në çdo rast. Po përballemi me primitivizmin politik

Nënkryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur se kur ka kompromise të mëdha mes partive politike duhet të bashkëjetojmë me sisteme të tilla. Këtë deklaratë e ka bërë në emisionin “Ora e Betit” në RTV Ora, ku është diskutuar ‘heshtja” e LSI kohëve të fundit.

Vasili thotë se kemi të bëjmë me një primitivizëm politik që sipas tij është i frikshëm, ndërsa shton se ndryshe nga LSI në Parlament ka mandate të siguruara me 4-5 mijë vota.

Petrit Vasili: LSI është partia e tretë në vend. Përkthimi në mandate lidhet me një kod elektoral. Ne bashkëjetojmë në një kod, ku një mandat i LSI ka 28 mijë vota, ndërkohë që në Parlament ka dhe mandate të siguruara me 4-5 mijë vota. Kemi të bëjmë me një primitivizëm politik që është i frikshëm. Këtë lloj primitivizmi nuk do ta ndikonim dot jo sikur 4 por edhe sikur 24 mandate të kishim. Sepse nëse ka kompromise të mëdha mes njëri-tjetrit, sigurisht do bashkëjetojmë me sisteme të tilla. Patëm zgjedhjet më të shëmtuara të 30 viteve.

Më tej thotë se LSI ndryshe nga partitë e tjera ka ngritur çështje të mëdha përsa i përket problemeve të vendit, ndërsa shton se edhe pas zgjedhjeve kanë qenë në një ritëm të pandryshuar.

Petrit Vasili: Ne kemi pasur qëndrimet tona edhe në ditët kur kanë heshtur të gjithë dhe në të gjitha çështjet e mëdha të vendit. Ky është pozicionimi ynë. Në sallën e Parlamentit ngritëm një çështje shumë të madhe, jo thjesht se po merreshin 700 milion euro, por çështjen madhore që nuk u prek nga asnjë parti politike. Thamë që kemi të bëjmë me 2.3 miliardë euro dhe zbërthyem se kemi të bëjmë një me një borxh që po i thyen këmbët Shqipërisë. LSI ka qenë në të njëjtin ritëm të pandryshuar.