Urbanet e Tiranës, vatra të rrezikshme infektimi me Covid. Ankohen qytetarët: 100 veta në autobus, për faqe të zezë!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është shprehur se po monitoron linjat e autobusëve që nuk respektojnë masat anti-Covid, duke paralajmëruar heqje licencash, por situata në terren mbetet problematike. Nga një vëzhgim i bërë të martën u pa se në autobusë ka qytetarë pa maska që detyrohen të qëndrojnë ngjitur në shkelje të distancimit, duke neglizhuar rrezikun e përhapjes së koronavirusit.

Kryebashkiaku i Tiranës i ka hequr licencën kompanisë që menaxhonte linjën e Unazës ndërsa ka paralajmëruar dhe linjat e tjera se po i vëzhgon me imtësi.

Në urbanët e kryeqytetit sheh persona që nuk i respektojnë masat anti-Covid, ndërsa qytetarët thonë se duhet më tepër kontrolle.

Kushtet higjienike në autobusë janë skandaloze, ndërsa mjetet e të gjitha linjave janë të mbipopulluara në orët e para të mëngjesit dhe pasdite në oraret e pikut të lëvizjeve.

"Nuk mbajnë maska, hipin shumë njerëz."

"Gjysmë për gjysmë është numri i autobusëve, vuan populli."

"Gjysmë ore nëpër autobusë, për faqe të zezë të gjithë."

"Gjatë verës të mbyt i nxehti, gjatë dimrit nuk ka kaloriferë. Ku ka pastërti? Njerëzit ngjitur, 50-100 veta në autobusë."

Premtimet e Erion Veliaj për përmirësimin e kushteve të transportit urban duket se kanë mbetur vetëm në spotet e kryebashkiakut, pasi shumica e mjeteve të transportit që operojnë në kryeqytet janë jashtë standardeve.