Basha i jep lamtumirën të atit: Na hidhëroi dhe ligështoi por iku në paqe, i rrethuar me dashuri e përkujdesje
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përcjellë sot për në banesën e fundit të atin e tij, Xhelal Basha, i cili u nda nga jeta për shkak të një sëmundje të rëndë.
Në një postim të ndjerë në facebook, Basha thotë se ikja e tij u la pas hidhërim të madh por nënvizon se ai u largua në paqe i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i njerëzve të tij të dashur.
"Sot i dhamë lamtumirën babait tim Xhelalit i cili u nda nga kjo jetë pas një beteje të gjatë, duke na hidhëruar dhe ligështuar mamanë time Remzijen, mua dhe vëllain tim Erlindin, Aurelën, vajzat, familjarët dhe miqtë e shumtë të tij dhe familjes. Ai u largua në paqe i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i njerëzve të tij të dashur".
Basha falenderon të gjithë ata që ju gjendën pranë familjes në këtë moment të vështirë, përfshirë dhe personelin shëndetësor.
"Në këto momente dhimbje të rëndë për familjen tonë, falenderojmë me mirënjohjen më të thellë të gjithë miqtë dhe dashamirët që na u gjendën dhe na lehtësuan, me praninë, mendimet, mesazhet, lutjet dhe mbështetjen e tyre. Falenderojmë mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin shëndetësor për përkujdesjen e tyre të dhembshur për babain gjatë gjithë kësaj periudhe".
"Për familjen tonë kjo është një humbje e madhe. Por po kaq i madh është ngushëllimi që Zoti e mori me qetësinë dhe dinjitetin që i fali në çdo çast të jetës së tij, si dhe lutjet tona që shpirti ti prehet në paqe!" përfundon Basha.

