Gazetarët, “lufta” me të drejtën, Cukali: Të krijohet sindikata e gazetarëve, mos të presim nga qeveria

Sot është Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve.

Një një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, kreu i Këshillit të Medias, Koloreto Cukal,  është shprehur se në fushën e fjalës së lirë në vendin tonë  nuk kemi asnjë standard evropian, ndërsa shton se një nga pengesat për të rritur standardin është qasja e qeverisë ndaj mediave.

Koloreto Cukali: Ne nuk jemi afër standardeve evropiane në asnjë fushë prandaj nuk ecim përpara. Në fushën e medias nuk kemi asnjë standard  dhe arsyet janë të shumta. Qasja e qeverisë ndaj medias është një nga pengesat për të rritur standardin. Probleme e gazetarisë shkojnë përtej qeverisë shqiptare.

Teksa ka lënë mënjanë diskutimin se sa ndikon qeveria tek fjala e lirë, Cukali është shprehur se problem në fushën e gazetarisë në vendin tonë është edhe mungesa e sindikatave. 

Sipas tij për të bërë një sindikatë gazetarët duhet të bëhen bashkë ndërsa shton se këto të fundi nuk diskutojnë së bashku dhe për tema të tjera.

Koloreto Cukali: Një problem shumë i madh i gazetarisë shqiptare është mungesa e sindikatave. Gazetari do të përfitonte shumë nëse do kishim mundësi organizimin e një sindikate. Një sindikatë të tillë kemi pasur vetëm në kohë të ‘Zogut’. Nuk kemi një kulturë. Unë nuk pres që qeveria të ndihmojë në krijimin e sindikatave. 

Kryeministri që kemi e ka thënë dhe publikisht që të vijnë të investojnë në Shqipëri sepse nuk ka sindikata. Gazetarët duhet të bëhen bashkë vetë. Gazetarët në përgjithësi nuk bëhen bashkë edhe për tema të tjera. Është mungesa e kulturës së bashkimit. Kemi ‘alergji’ ndaj bashkëpunimit. Një sindikatë mund të zgjidhë diçka.

Përgatiti për online Anila Kolgjini.