Vrasja në mes të kamerave, mbi ish- policin shtiu vetëm një person. Makina e djegur, u vodh në Fier një muaj më parë
Dy plumba pistolete i kanë marrë jetën sot, Xhelal Reçit në Laç, ky i fundit një ish-punonjës i komisariatit të Kurbinit.
Reçi prej vitit 2005 ushtronte aktivitet tregtar në qytetin e Laçit, duke menaxhuar një dyqan rrobash.
Ndërsa nga policia ishte larguar prej disa vitesh. Xhelal Reçi, njihet në zonë si xhaxha i gruas së një personazhi të njohur të botës së krimit, që së fundmi është liruar nga burgu i Fushë-Krujës.
Mëngjesin e sotëm Reçi ishte duke shkuar me automjet tip “Benz”, për të hapur dyqanin e tij, kur dy persona kanë zbritur nga makina dhe i janë afruar.
Personat mbanin në kokë kapele, maska kirurgjikale dhe kapuçë, ndërsa në duar secili prej tyre mbante pistoletë. E gjithë ngjarja ka ndodhur mes kamerave, të cilat kanë filmuar skenën e vrasjes.
Xhelal Reçi, ka zbritur nga makina me shpresën për tju shmangur dy personave, por vetëm njëri prej tyre e ka qëlluar dy herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend.
Personi tjetër që kishte armën në dorë, sipas pamjeve filmike rezulton të mos ketë qëlluar. Autorët më pas hipin në një makinë, që qëndronte e ndezur dhe që brenda saj ishte një person tjetër, dhe largohen në drejtim të zonën së Milotit.
Mjeti është gjendur i gjithi i djegur, ndërsa armët nuk janë gjëndur në makinë. “Ora News” mëson se makina e djegur ishte vjedhur 1 muaj më parë në qytetin e Fierit, rast për të cilin është bërë kallëzim në polici për këtë vjedhjen e automjetit.
Vrasja e Xhelal Reçit, shënon atentatin e radhës të kryer mes disa personazheve të botës së krimit në këtë zonë. Tashmë prova kryesore e policisë dhe prokurorisë së Laçit, është video që ka filmuar momentin e vrasjes.

Konfliktet e djemve
Ndërsa motiv i këtij krimi janë konfliktet e vazhdueshme që dy djemtë e viktimës, Besnik dhe Ervis alias Genti Reçi, kanë me disa persona në Laç dhe Milot.
Nga verifikimet e kryera rezulton se njëri nga djemtë e Xhelal Reçit, ndodhet jashtë shtetit ndërsa tjetri ndodhet në Shqipëri, por qëndron i fshehur për shkak të përplasjeve që ka pasur disa herë me armë. Besnik Reçi, i shpëtoi një atentati një vit më parë në zonën e Shëngjinit, ku dy persona me motor e qëlluan me armë, por pa mundur ta ekzekutojnë.
Dyshimet e para
Një nga të dyshuarit e policisë për këtë ngjarje të rëndë, dyshohet të jetë Y.I, i cili mbeti i plagosur në muajin Janar 2021, ku persona ende të paidentifikuar e qëllojnë nga një motor, duke e lënë të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në Milot, pikërisht në zonën ku është gjendur dhe makina e djegur, e përdorur në vrasjen e sotme. Y.I, ka dyshuar se atentatin kundër tij e kishin organizuar vëllezërit Reçi, ndaj dhe këta të fundit qëndronin disi të tërhequr nga lëvizja e përditshme në publik.
Megjithëse janë bërë përpjekje për të pasur një pajtim të gjakrave, sërisht palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Duket se në pamundësi për të qëlluar djemtë, persona ende të paidentifikuar kanë marrë hakun tek babai i tyre, Xhelal Reçi.
Autorët dyshohen nga Shkodra
Tashmë policia dhe prokuroria e Kurbinit, është duke shoqëruar dhjetëra persona, ku kontrolle të shumta po kryhen në Milot, Laç dhe në zonën e Shkodrës. Kjo pasi dyshohet se autorët e kësaj vrasjeje kanë ardhur nga Shkodra.
Ndërsa fakti që makina është vjedhur në Fier para një muaji, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh që duan kohë të verifikohen, nëse vrasja e Demir Backës në Fier, mund të jetë kryer nga segmente të caktuara që veprojnë në zonën e Durrësit, Krujës dhe Laçit.
