"U futën hajdutçe, më morën në telefon nga protesta", policia dhe IMT i rrethojnë banesën: Ose koka ime, ose e shtetit!


Ndërsa e gjithë vëmendja ishte fokusuar te rruga kryesore ku ishin mbledhur banorët e "5 Majit", IMT dhe policia kanë ndërhyrë nga ana e pasme duke nisur punën për shembjen e ndërtesave me eskavatorë.

Fatjoni, pronari i një banese dy katëshe në të cilën jetojnë katër kurorë, tha se e morën në telefon nga protesta që policia i ka rrethuar shtëpinë.

Duke e akuzuar shtetin për vjedhje të pronës që e ka me legalizim, ai thotë se nuk do të lëshojë mundin dhe djersën e një jete pa marrë një kontratë nga bashkia e Tiranës.

"Janë futur hajdutçe. Ishim në protestën përpara që të mos niste shembja. Ka hyrë eskavatori duke shembur. Këtu është oborri im, janë unë zot shtëpie se nuk kam marrë shpronësim. Policia të dalë jashtë, këta nuk dëgjojnë asnjë, nuk di si të veproj. Isha në protestë, të gjithë ishin atje dhe më morën në telefon se të ka hyrë policia në shtëpi. Kjo është vjedhje, cënim në banesën time. E kam liruar nga mobiliet, IMT tha se të hënë do u dorëzojmë kontratën e shpronësimit. Nuk kam marrë asgjë. 9 mijë euro legalizimi.Shtëpia ime do paguhet me jetë, te unë ose te shteti. O koka ime ose e shtetit sot, i them Edi Ramës dhe Erion Veliajt. E kam bërë me gjak këtë dykatëshe. Nuk e kam ngritur me drogë. Jemi katër kurorë".

Ai tregoi për mediat dhe certifikatën e pronësisë.