Pa strehë dy vite pas tërmetit, banorët e pallatit protestë para bashkisë Durrës: Dua të vdes në shtëpinë time!

Rreth 20 familje të mbetura pa strehë nga dëmtimi i pallatit ku jetonin në Durrës protestuan para Bashkisë për faktin se kanë mbetur të pastrehë dhe pa një zgjidhje pasi u është hequr edhe bonusi i qirasë. Ata thonë se pavarësisht se pallati i tyre ka mbi një vit që është shembur në truallin ku ndodhej nuk ka nisur ende ndërtimi i objektit të ri që është premtuar për strehimin e tyre.

Banorët e një prej pallateve të dëmtuara rëndë nga tërmeti i vitit 2019 protestuan sërish para Bashkisë së Durrësit.

Objekti me numër 837 në lagjen 15 ku jetonin 20 familje u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa në gusht të 2020 ai u shemb me vendim të Bashkisë.

Por edhe pse kanë kaluar gati 2 vjet, banorët shprehen se ndërtimi i pallatit të ri nuk ka nisur.

"Pallati jonë është shembur dhe është bërë kënd për të hedhur plehrat."

Ata thonë se janë ankuar disa herë në institucione, por nuk kanë marrë përgjigje se çfarë do të ndodhë me banesat e tyre.

"Kemi mbetur rrugëve. Asnjë përgjigje nuk kemi marrë."

"Me 100 mijë lekë pension ku të shkoj?"

Edhe pse kanë dalë të pastrehë nga fatkeqësia natyrore, ata thonë se kanë prej 3 muajsh që nuk trajtohen me bonusin e qirasë.

"Muaji i tretë që nuk marrim bonusin e qirasë."

Qytetarët i bëjnë thirrje kryetares së bashkisë Durrës, Emirjana Sako, për zgjidhje në një kohë që qeveria po reklamon hedhjen e shortit për banesat e reja të ndërtuara për familjet e prekura nga tërmeti.

"Dua shtëpinë time, dua të vdes në shtëpinë time nuk dua të dalë xhenazja prej shtëpisë së tjetrit".