Gërdeci/ Fatmir Mediu rikthehet në Gjykatën e Lartë, kërkon rrëzimin e vendimit për rihetim

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dorëzoi në Gjykatën e Lartë rekursin kundër vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit që rihapi rihetimin dhe gjykimin për dosjen "Gërdeci".

Sipas avokatit të Mediut, Ardian Visha, vendimi cënon parimin e çështjes së gjykuar njëherë më parë, sa kohë që një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli.

Sipas avokatit, vendimi është i cenueshëm sa kohë një gjykatë e një shkalle më të vogël ka prishur një vendim të Gjykatës së Lartë, pasi ndjekja penale për  rastin është e parashkruar për shkak të viteve.

SPAK vendosi të regjistrojë procedim penal ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, për çështjen e Gërdecit për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.

Rihetimi ndaj ish-ministrit lidhet me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi në punishten e demontimit të armëve mbetën të vdekur 26 persona dhe u plagosën mbi 260 të tjerë.

Rihapja e hetimit nga SPAK u bë me kërkesë të familjarëve të viktimave të shpërthimit në Gërdec.