Parcela me kanabis në Përmet, pas pezullimit të shefit të komisariatit arrestohet kryeplaku i Frashërit

Ish-shefi i krimeve në Përmet, Shpëtim Makashi, është vënë në pranga dhe po mbahet në "arrest shtëpie", ndërsa shefi i komisariatit është pezulluar nga detyra me dyshimin se kanë bashkëpunuar me kultivuesit e drogës në fshatin Frashër. Nën hetim janë vënë edhe disa efektivë të tjerë të policisë, ndërsa kryeplaku është arrestuar me dyshimin se nuk ka denoncuar parcelat e hashashit.

I dyshuar se ka lejuar kultivimin e kanabisit në fshatin Frashër, shefi i komisariatit Petrit Gjokaza është pezulluar dhe dy efektivë të tjerë po hetohen në gjendje të lirë në lidhje parcelat e drogës.

Zbulimi i një parcele me 503 rrënjë kanabis sativa në fshatin Frashër të Përmetit, ka ngritur dyshime se efektivë të policisë lokale kanë bashkëpunuar me kultivuesit.

Hetimi mësohet se ka nisur në shtator të 2021, kohë kur Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat kishte marrë denoncim për policë të përfshirë.

Verifikimet siç duket kanë forcuar dyshimin dhe kanë sjellë ndëshkim në radhët  e policisë lokale.

Shefi i komisariatit të Përmetit, Petrit Gjokaza, është pezulluar nga detyra deri sqairmin e plotë të çështjes së kultivimit të kanabisit.

Në vend të Gjokazës është komanduar Vilson Dine ,shefi aktual i Policisë Kriminale në Përmet.

Ish-shefi i krimeve të Komisariatit të Përmetit, Shpëtim Makashi, po mbahet në masën e  sigurisë "arrest shtëpie".

Inspektorët e zonës Dhimitër Shyti dhe Maltin Dalilaj janë lënë nga gjykata në "detyrim paraqitje".

Në kuadër të hetimit, në pranga është vënë edhe  kryeplaku i Frashërit në Përmet Klodjan Mustafa, 43 vjeç.

Kurse inspektori i Zonave të Mbrojtura në Përmet, Joan Allamani, po hetohet me  masën detyrim paraqitje.

Dyshimet janë se efektivët e policisë dhe kryeplaku kanë bashkëpunuar me kultivuesit dhe nuk kanë raportuar parcelat me hashash në fshatin Frashër.